zoom

Lajme

“Ortek gënjeshtrash që çan demokracinë”, Rama mbron projektin e Zvërnecit nga Berlini: U kthye në një stuhi digjitale ndërkombëtare

“Ortek gënjeshtrash që çan demokracinë”, Rama mbron projektin e Zvërnecit nga Berlini: U kthye në një stuhi digjitale ndërkombëtare

Kryeministri Edi Rama ka përdorur debatin e krijuar rreth projektit turistik në Zvërnec si shembull të rrezikut që, sipas tij, paraqet dezinformimi në epokën digjitale. Gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor në Berlin, ai paralajmëroi se kërcënimi më i madh për demokracitë mund të mos vijë nga ushtritë, por nga përhapja masive e narrativave të pavërtetuara.

Rama deklaroi se sfida e re e sigurisë është mbrojtja e perceptimit publik dhe e besimit te institucionet, duke theksuar se një “ortek gënjeshtrash” mund të jetë po aq i rrezikshëm sa një sulm konvencional.

“Sfida e ardhshme e madhe e sigurisë mund të mos jetë një ushtri që kalon kufirin, por një ortek gënjeshtrash i fuqishëm sa të çajë vetë arkitekturën e jetës demokratike”, u shpreh ai.

Duke iu referuar projektit në Zvërnec, kryeministri tha se Shqipëria po përjeton prej javësh një shembull konkret të këtij fenomeni. Sipas tij, projekti u shndërrua në qendër të një “stuhie digjitale ndërkombëtare”, ku pretendimet morën përparësi ndaj verifikimit të fakteve.

“Katastrofa mjedisore u paraqit si fakt i provuar. Korrupsioni u shpall i vërtetuar para se të ekzistonte ndonjë provë. Teoritë konspirative u shumëfishuan orë pas ore. Pretendimet u bënë tituj, titujt u bënë të vërteta dhe të vërtetat u bënë dogma”, deklaroi kreu i qeverisë.

Edi Rama: “Çfarë vlere do të kishte qëndresa ushtarake nëse qëndresa demokratike bie? Çfarë vlere do të kishte siguria territoriale, nëse qytetarët humbasin gradualisht aftësinë për të dalluar faktet nga sajesat, miqtë nga armiqtë, interesat e përbashkëta nga interesat e kundërta?

Sfida e ardhshme e madhe e sigurisë mund të mos jetë një ushtri që kalon kufirin, por një ortek gënjeshtrash i fuqishëm sa të çajë vetë arkitekturën e jetës demokratike. Dhe ndryshe nga sulmet konvencionale, objektivi nuk është pushtimi i territorit. Objektivi është të pushtohet perceptimi. Të dobësohet besimi. Të ndahen shoqëritë. Të paralizohet vendimmarrja demokratike. Të bëjë qytetarët të dyshojnë e fajësojnë gjithëkënd që i përfaqëson dhe gjithçka përveç klanit të tyre digjital.

Europa nuk ka nevojë vetëm për mburojë kundër raketave, por edhe për mburojë në epokën e algoritmeve. Edhe nëse do të më duhej të zgjidhja se nga ku duhet t’ia nisja, do t’ia nisja nga kjo e dyta.

Këto javët e fundit, vendi im përjetoi dhe vazhdon të përjetojë një shembull të gjallë të kësaj. Një projekt për zhvillim turistik në bregdetin e Shqipërisë u bë befas qendra e një stuhie digjitale ndërkombëtare. Katastrofa mjedisore u paraqit si një fakt i provuar. Korrupsioni u shpall i vërtetuar para se të ekzistonte ndonjë provë. Teoritë konspirative u shumëfishuan orë pas ore. Pretendimet u bënë tituj. Titujt u bënë të vërteta. Dhe të vërtetat u bënë dogma. Dhe kushdo që kërkonte prova trajtohej si i dyshuar.

Nuk e përmenda këtë sepse vetë projekti ka rëndësi për Europën, megjithëse ka. Por ajo që ka më shumë rëndësi është ajo çka zbuloi ky episod. Indinjata prodhoi miliona shikime para se faktet të kishin mundësi të flisnin. Narrativat bënë xhiron e botës para se procedurat e dokumentuara të mund të qarkullonin qoftë edhe në një kanal të vetëm. Ky nuk është më një fenomen shqiptar. Është europian. Është amerikan. Është demokratik.

Dhe nëse demokracitë dështojnë të mbrojnë dallimin mes fakteve dhe trillimeve, ato do të humbasin herët a vonë diçka shumë më të vlefshme se çdo argument politik: besimin se demokracia ia vlen.”

Postime të lidhura