zoom

Ide & Blog

Gishti i mesit që Rama u tregon shqiptarëve, pasqyra e realitetit tonë politik

Gishti i mesit që Rama u tregon shqiptarëve, pasqyra e realitetit tonë politik

Nga Zoom.al

Nëse ka një imazh që përmbledh më së miri gjendjen klinike të politikës shqiptare sot, ai është kuadri i Edi Ramës dje në Parlament, me gishtin e mesit drejtuar atyre pak opozitarëve që kishin mbetur në sallë. Një gjest që, në varësi të këndvështrimit, luan mes një kruajtjeje balli dhe një mesazhi të koduar profan. Por, në teatrin tonë politik, ky imazh nuk ka më rëndësi se çfarë është anatomikisht. Ai ka rëndësi për atë që simbolizon.

Dhe ajo që simbolizon është dështimi i plotë dhe i dyanshëm i një kaste që ka humbur çdo lidhje me etikën, llogaridhënien dhe interesin publik.

Nga njëra anë e ekuacionit qëndron një kryeministër që qeveris me një arrogancë të skajshme. Në një vend normal, një qeveri që përballet me akuza sistematike për korrupsion galopant në çdo nivel, që e ka shndërruar vendin në një lavatriçe të pastrimit të parave me industrinë e ndërtimit, siç rezulton nga “Dosja Aruba”, me grupe kriminale që kërcënojnë edhe deputetë të kuvendit, do të duhej të ishte nën një presion të pashoq llogaridhënieje. Kryeministri duhet të jepte llogari me shifra e me emra. Do të duhej të inkurajonte hetimet dhe të denonconte këto fenomene që e kanë mbytur prej më shumë se 1 dekade shoqërinë tonë.

Por në vend të kësaj, nga karrigia e pushtetit, Rama u tregoi dje të gjithë shqiptarëve gishtin e mesit, duke u dhënë një tjetër mesazh arrogance e shpërfilljeje, të gjithë atyre që protestojnë prej 19 ditësh poshtë zyrës së tij dhe jo vetëm.

Por kjo arrogancë nuk lind nga hiçi. Ajo ushqehet, mirëmbahet dhe legjitimohet nga pala tjetër e asaj salle që ka humbur peshën përballë shqiptarëve të derdhur në shesh: opozita.

Ajo që ndodhi në seancë ishte kryevepra e radhës e vetëvrasjes politike të opozitës. Pasi tensionuan sallën për orë të tëra, duke bllokuar foltoren e duke bërtitur me të madhe “ku është kryeministri”, në momentin e vetëm që Rama mbërriti në seancë, opozita e braktisi seancën. Një lëvizje sa fëmijërore, aq edhe kompromentuese.

Kur të gjithë prisnin që opozita të ballafaqohej me kreun e qeverisë për të gjitha akuzat që ia rreshtoi paraditen e djeshme në sallë, pasdite ajo i krijoi Ramës rehatinë e të votuarit të disa ligjeve që mazhoranca i ka hartuar pa e konsideruar opozitën, për të cilët duheshin 84 vota.

Kështu, opozita e Sali Berishës i bëri një tjetër dhuratë Edi Ramës, pasi ai nuk pati as sikletin më të vogël që të mbrohej përballë akuzave për pastrimin e miliona eurove të drogës kolumbiane në ekonominë shqiptare, apo përballë kërkesave për dorëheqje që i vijnë nga protestuesit në shesh.

Opozita, ose nga paaftësia e saj strategjike, ose nga një strategji e rakorduar me pushtetin, u bë sërish amortizatori më i mirë i krizës qeveritare. Vetëm duke pasur këtë komoditet, një kryeministër simbol i arrogancës mund t’u tregojë kundërshtarëve gishtin e mesit pa të keq, sepse ai është i vetëdijshëm që nuk i hyn ferrë në këmbë duke pasur përballë një opozitë të çorientuar.

Dhe në këtë teatër absurd, ata që mbeten të fyer nga gishti i Ramës nuk janë deputetët që braktisën sallën, por qytetarët që e shohin gishtin e Ramës të ngrihet duke u mbështetur në shpatullat e opozitës.

Postime të lidhura