Aplikacion
Zbardhen detaje të reja nga aksidenti i rëndë rrugor i regjistruar në aksin Lezhë–Milot, ku humbi jetën një shtetas nga Kosova dhe dy familjarë të tij mbetën të plagosur.
Sipas të dhënave nga grupi hetimor, dyshohet se drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin e mjetit pasi mund të jetë përgjumur gjatë drejtimit, çka solli përplasjen me një kamion që lëvizte në këtë segment rrugor.
Viktima është identifikuar si Kadri Behluli, me origjinë nga Suhareka. Ai humbi jetën në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra nga përplasja.
Në automjet udhëtonin edhe motra dhe djali i tij, të cilët mbetën të lënduar. Të dy janë transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po marrin trajtim mjekësor. Burime mjekësore bëjnë me dije se gjendja e tyre është e stabilizuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, drejtuesi i kamionit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Lezhës, ku është marrë në pyetje për rrethanat e aksidentit dhe po kryhen veprimet procedurale të nevojshme./ Zoom.al
Masakër në Kanionin e Erzenit: Varroset përfundimisht një nga perlat natyrore të Tiranës