Aplikacion
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka kërkuar që kryeministri Edi Rama të thirret si dëshmitar në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij. Sipas Metës, dëshmia e kreut të qeverisë është e rëndësishme për çështjet që lidhen me ligjin e minierave dhe vendimmarrjet e ndërmarra në atë periudhë.
Gjatë seancës, Meta bëri të ditur se në listën e personave që kërkon të dëshmojnë përfshihen edhe ish-kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, si dhe deputeti socialist Taulant Balla.
Ish-presidenti theksoi se një ekspert i pavarur në fushën e minierave do të ishte i nevojshëm për të analizuar ndryshimet ligjore dhe për të vlerësuar nëse ato kanë sjellë përfitime për subjekte të caktuara.
Në deklarimet e tij, Meta kundërshtoi akuzat që lidhen me pasuritë dhe banesat, duke i cilësuar ato si pretendime të pabazuara. Ai shpjegoi se për vite me radhë ka jetuar në banesën e prindërve të ish-bashkëshortes së tij dhe më pas ka ndryshuar vendbanimin për arsye familjare dhe praktike.
Kërkesa për thirrjen e dëshmitarëve pritet të shqyrtohet nga gjykata, e cila do të vendosë nëse personat e propozuar do të japin dëshmitë e tyre në kuadër të procesit gjyqësor.
“Do ishte me vlerë të thërrasim një ekspert në fushën e minierave, apo një ekspert të pavarur për të parë, që nga ky ndryshim ligjor sa subjekte kanë përfituar. Për të kuptuar, nëse ishte i nevojshëm a jo. Jeni përballë një fantazie të shfrenuar. Shtëpia këtu, shtëpia aty, pallati këtu pallati atje. Ne kemi jetuar deri më 2008-2009 në banesën e prindërve të bashkëshortes sime. Vendi u dha për pallat dhe prandaj duhet të lëviznim. Jemi vendosur tek blloku, pasi zonja kishte gjetur një okazion. 4 vite kemi qëndruar aty. Ndërtesa ishte me probleme, paçka se vendi ishte i mirë. Unë e kisha të pamundur për të bërë aktivitete sportive. Qëllimi nuk ishte te merrja një vilë. Kërkesa e parë ishte për një apartament afër stadiumit. Kjo për të qenë larg zhurmës së bllokut, plus ato muret ishin të lehta dhe dëgjohej gjithë zhurma e bllokut. Kryetari i Kuvendit ka vetëm një votë. Edhe kur voton kundër një ligji e ka për detyrë funksionale ta firmosë. Për këtë çështje këtu duhet të vijë Edi Rama, duhet të vijë kreu i grupit parlamentar të PS. Kurrë s’kam diskutuar me njeri, as për të marrë shtëpi, as për të lënë shtëpi. Të gjitha janë lidhje absurde, pasi kur nuk ke një fakt, kur nuk ke një sms, kur nuk ke një mail, atëherë do të bësh montazhe”, tha Meta gjatë seancës./ Zoom.al