Aplikacion
Temperaturat e larta që kanë përfshirë Francën kanë detyruar autoritetet energjetike të ndërmarrin masa emergjente, duke pezulluar funksionimin e njërit prej reaktorëve të centralit bërthamor të Golfeshit.
Vendimi u mor pasi temperatura e ujit të lumit Garonne, i cili përdoret për sistemin e ftohjes së centralit, arriti nivelin maksimal të lejuar për mbrojtjen e ekosistemit ujor.
Sipas operatorëve të centralit, reaktori u nxor jashtë funksionit pak para mesnatës, kur temperatura e ujit preku 28 gradë Celsius, kufiri i përcaktuar nga rregulloret mjedisore franceze. Ndërkohë, reaktori i dytë i impiantit ndodhej tashmë i ndalur për shkak të punimeve të mirëmbajtjes.
Centrali i Golfeshit, i vendosur pranë lumit Garonne, përbëhet nga dy reaktorë bërthamorë me kapacitet prej 1.3 gigavatësh secili dhe luan një rol të rëndësishëm në prodhimin e energjisë elektrike në Francë.
Rregullat mjedisore të miratuara prej vitit 2006 parashikojnë që temperatura e ujit të lumit të mos kalojë kufirin e lejuar pas përdorimit nga centrali, me qëllim mbrojtjen e florës dhe faunës ujore./ Zoom.al