Aplikacion
Franca po përballet me një nga periudhat më të nxehta të regjistruara ndonjëherë, ndërsa temperaturat ekstreme kanë sjellë pasoja tragjike në mbarë vendin.
Autoritetet franceze raportojnë se të paktën 40 persona kanë humbur jetën që prej datës 18 qershor, ndërsa vala e të nxehtit vazhdon të godasë rajone të ndryshme.

Kryeministri Sebastien Lecornu, e cilësoi situatën si një krizë serioze kombëtare dhe mblodhi ministrat në një takim urgjent për të diskutuar masat që duhen marrë për përballimin e situatës.
Sipas të dhënave të publikuara nga shërbimi meteorologjik francez, vendi ka përjetuar natën më të nxehtë që nga fillimi i matjeve zyrtare në vitin 1947. Temperatura mesatare në nivel kombëtar arriti në 21.6 gradë Celsius, duke thyer rekordin e mëparshëm të vendosur në vitin 2019.

Autoritetet kanë konfirmuar se shumica e viktimave janë persona të rinj, ndërsa temperaturat e larta kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e rasteve tragjike. Qeveria franceze ka paralajmëruar qytetarët të tregojnë kujdes maksimal gjatë ditëve në vijim.

Vala e të nxehtit ka shkaktuar ndërprerje të shumta në jetën e përditshme. Disa shkolla janë mbyllur për shkak të temperaturave të larta në ambiente, ndërsa në disa zona janë anuluar edhe shërbimet hekurudhore.
Për t’u freskuar, shumë qytetarë janë drejtuar drejt lumenjve dhe kanaleve, megjithatë autoritetet kanë apeluar për kujdes. Ministrja franceze e Sportit paralajmëroi se noti në zona të paautorizuara mund të paraqesë rrezik serioz për jetën.
Ekspertët e motit shpjegojnë se fenomeni aktual lidhet me të ashtuquajturin “Omega Block”, një konfigurim atmosferik që bllokon masat e ajrit të nxehtë për periudha të gjata dhe favorizon rritjen e vazhdueshme të temperaturave.
Edhe vende të tjera evropiane po përballen me kushte të ngjashme. Në Itali është shpallur alarmi maksimal në disa qytete, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar parashikohen temperatura rekord për muajin qershor. Shkollat në disa zona britanike kanë njoftuar mbylljen për shkak të kushteve të papërshtatshme në ndërtesa.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ngjarje të tilla ekstreme klimatike po bëhen gjithnjë e më të shpeshta si pasojë e ndryshimeve klimatike globale. Sipas tyre, episodet e të nxehtit intensiv pritet të zgjasin më shumë dhe të kenë ndikim më të madh në vitet e ardhshme./ Zoom.al