zoom

Bota

Tërmetet shkatërruese në Venezuelë, rritet ndjeshëm numri i viktimave

Tërmetet shkatërruese në Venezuelë, rritet ndjeshëm numri i viktimave

Bilanci i viktimave nga tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën vazhdon të rëndohet, ndërsa autoritetet raportojnë një rritje të ndjeshme të numrit të të vdekurve dhe të personave të zhdukur.

Sipas të dhënave të bëra publike nga presidentja në detyrë e vendit, numri i viktimave ka arritur në 589, ndërsa vetëm pak orë më parë ishin konfirmuar 235 të vdekur. Gjithashtu, rreth 2.980 persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e dy lëkundjeve të forta sizmike.

Një nga shqetësimet më të mëdha për autoritetet mbetet numri i lartë i personave të zhdukur. Sipas raportimeve zyrtare, mbi 50 mijë qytetarë rezultojnë ende pa kontakt me familjarët e tyre, ndërsa shumë prej tyre mund të ndodhen nën rrënoja ose në zona të izoluara.

Ndërkohë, ndihma ndërkombëtare ka nisur të mbërrijë në Venezuelë. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se të paktën 17 vende kanë ofruar mbështetje ose kanë dërguar ekipe të specializuara për operacionet e kërkim-shpëtimit.

Në terren ndodhen tashmë ekspertë dhe ekipe emergjence nga Kili, Kolumbia, El Salvadori, Italia, Meksika, Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara. Ndërsa gjatë orëve në vijim pritet të mbërrijnë edhe grupe të tjera nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Spanja, Holanda, Katari, Jordania, Çekia dhe Ekuadori.

Operacionet e shpëtimit po zhvillohen në kushte tepër të vështira, pasi shumë zona vazhdojnë të kenë ndërtesa të shembura dhe mungesë të pajisjeve të nevojshme. Ekipet në terren kanë deklaruar se burimet njerëzore dhe mjetet e specializuara nuk janë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur situatës.

Ekspertët e emergjencave theksojnë se 72 orët e para pas një tërmeti konsiderohen vendimtare për gjetjen e të mbijetuarve. Pas kësaj periudhe, shanset për të nxjerrë njerëz të gjallë nga rrënojat zvogëlohen ndjeshëm për shkak të dehidratimit, plagëve dhe shembjeve të tjera të mundshme.

Ndërkohë, sizmologët paralajmërojnë se Venezuela mund të përballet me një seri të gjatë pasgoditjesh. Sipas ekspertëve, është e rrallë që dy tërmete me magnitudë të ngjashme të ndodhin në një interval kaq të shkurtër kohor dhe në të njëjtën zonë./ Zoom.al

Postime të lidhura