Aplikacion
Qeveria ka miratuar indeksimin e pensioneve me 2.7 për qind duke nisur nga data 1 korrik, një vendim që synon të kompensojë ndikimin e rritjes së çmimeve dhe kostos së jetesës për pensionistët.
Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e qeverisë, nga kjo rritje do të përfitojnë rreth 900 mijë qytetarë, përfshirë pensionistët e pleqërisë, përfituesit e pensioneve të veçanta si dhe kategori të tjera që përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore.
Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se indeksimi është vendosur të zbatohet në muajin korrik, më herët se vitet e mëparshme, për shkak të rritjes së inflacionit dhe shtrenjtimit të produkteve bazë gjatë muajve të fundit.
Rritja prej 2.7 për qind do të sjellë një shtesë mesatare prej rreth 543 lekësh në muaj për pensionet urbane. Duke marrë si referencë pensionin mesatar të fundvitit 2025, vlera e tij pritet të arrijë në rreth 20.666 lekë.
Ndërkohë, pensionet rurale do të përfitojnë një shtesë mesatare prej 320 lekësh në muaj. Si rezultat i indeksimit, pensioni mesatar rural do të shkojë në rreth 12.107 lekë.
Indeksimi i këtij viti është më i lartë se ai i vitit të kaluar, kur pensionet u rritën me 2.5 për qind./ Zoom.al