Aplikacion
Biznesmeni Behgjet Pacolli i ka bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme (SPAK) të hetojë mbi konfliktin për administrimin e Aeroportit të Vlorës, duke argumentuar se vendimi i Gjykatës së Lartë ka nxjerrë në pah shkelje të rënda që, sipas tij, kanë dëmtuar një projekt strategjik dhe sigurinë juridike të investimeve në Shqipëri.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Pacolli shkruan se vendimi i Gjykatës së Lartë “nuk përbën vetëm korrigjimin e vendimeve të gabuara gjyqësore”, por evidenton se projekti u mbajt peng për muaj të tërë nga “masa të sigurimit” që më pas u shpallën të paligjshme.
Ai thekson se tashmë “lind detyrimi që të HETOHEN me SERIOZITET përgjegjësitë individuale dhe institucionale”, ndërsa i bën thirrje SPAK-ut “të vazhdojë HETIMIN e thellë” për të identifikuar, sipas tij, “të gjitha veprimet dhe mosveprimet e secilit person përgjegjës, e në veçanti të atyre që e orkestruan, e urdhëruan dhe e ekzekutuan këtë skandal të rëndë”.
Pacolli pretendon gjithashtu se, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë, “edhe sot… grupe që veprojnë jashtë çdo baze ligjore vazhdojnë të mbajnë të bllokuara rrugët publike dhe hyrjet në kantier”, duke kërkuar reagim të menjëhershëm për rivendosjen e ligjshmërisë.