Aplikacion
Reinier de Graaf plotëson çdo kriter logjik, moral dhe politik për t’u shpallur person “Non Grata” në Republikën e Shqipërisë. Minim më të madh, më të hapur dhe më cinik të parimeve demokratike sesa të kërkosh vrasjen e votës së lirë për interesa financiare, nuk mund të ketë.
Nga Zoom.al
Libri “The Albanian Files” ka zbuluar një skandal me planet e hershme të Edi Ramës për të betonizuar Shqipërinë nga Veriu në Jug me projekte gjithëfarëllojesh, përmes angazhimit të një ushtrie arkitektësh ndërkombëtarë dhe investitorësh vendas e të huaj.
Por në mesin e këtij botimi voluminoz prej 796 faqesh, i cili mbledh reflektimet e 60 studiove ndërkombëtare të arkitekturës dhe që hapet me një parathënie nga vetë kryeministri Rama, gjendet një letër e një arkitekti holandez që përmban një tezë tejet të rrezikshme dhe alarmante.
Reinier de Graaf, në letrën e hapur drejtuar kryeministrit Edi Rama më 3 mars 2025, propozoi anulimin e zgjedhjeve të 11 majit 2025 dhe instalimin e një autokracie, duke kërkuar shpalljen e Edi Ramës President të Përjetshëm ose Mbret.
“Çfarë do të ndodhë nëse Socialistët nuk i fitojnë zgjedhjet? A do t’i vijë papritur fundi kësaj meke të arkitekturës bashkëkohore? A do të shterojë papritur një burim pune që duket i pashtershëm? A mundet që “Ushtria e Arkitektëve” (ArchArmy) të duhet t’i ulë armët po aq shpejt sa u mobilizua? Nuk e preservation këtë lehtë, burrë për ne arkitektët, do të ishte më mirë nëse zgjedhjet e ardhshme thjesht do të anuloheshin. Unë do të shkoja edhe një hap më tej. Duke pasur parasysh statusin e qëndrueshëm të Shqipërisë si një patron (mbështetës) i ndriçuar arkitektonik, profesioni ynë do të përfitonte shumë nëse vendi nuk do të kishte më kurrë zgjedhje, dhe nëse ju, pas mandatit tuaj të pestë radhazi si kryeministër, thjesht do të vazhdonit si President i Përjetshëm, ndoshta edhe Mbret. Ngjarje të mëdha historike po shpalosen ndërsa flasim. Autokracia po fiton terren me shpejtësi si forma përfundimtare e qeverisjes së shekullit të njëzet e njëzet” –shkruan ai.

Letra e hapur e arkitektit holandez Reinier de Graaf, pjesë e studios prestigjoze OMA, shpërfaq pa asnjë dorezë një realitet tronditës. Ajo dëshmon se kush po e minon realisht demokracinë në këtë vend. Natyrisht jo protestuesit në rrugët e Tiranës, por një elitë oportuniste ndërkombëtare që kërkon eliminimin e zgjedhjeve për të siguruar paratë dhe projektet e veta.
De Graaf nuk mjaftohet me lajka sipërfaqësore për “liderin global”. Ai shkon në atavizma që do t’i lakmonte çdo diktator i shekullit të kaluar. Pasi e quan Shqipërinë një “mekë të arkitekturës”, për shkak se kuptohet që studiot e huaja marrin miliona euro nga projektet që u cakton kryeministri, arkitekti shtron pyetjen që e mundon natën: Çfarë do të ndodhë nëse Socialistët nuk i fitojnë zgjedhjet? A do të shterojë papritur ky burim i pashtershëm pune?
Për të zgjidhur këtë shqetësim të xhepit të tij, De Graaf bën thirrjen e hapur që duhet të alarmonte çdo institucion që monitoron lirinë në botë: që zgjedhjet të anuloheshin dhe që kryeministri të forconte autokracinë e tij.
Thirrja e De Graaf nuk është një metaforë estetike, por një artikulim i pastër i një mendësie antidemokratike. Në këtë vizion, e drejta e një populli sovran për të votuar dhe për të ndryshuar qeverisjen konsiderohet thjesht si pengesë për biznesin e kullave dhe të betonit, ku padyshim më të fituarit janë arkitektët e huaj të përzgjedhur nga Rama.
Shqipëria ka kaluar një nga diktaturat më të egra dhe të përgjakshme të Europës Lindore. Kujtesa e izolimit dhe e mungesës së plotë të lirisë është ende e gjallë në familjet shqiptare. Prandaj, kur një arkitekt që vjen nga komoditeti demokratik i Roterdamit shkruan se “në një botë autokracish, le të kemi një autokrat dashamirës me shije”, ai nuk po minon vetëm demokracinë, por po fyen rëndë një komb të tërë.
De Graaf dhe të ngjashmit e tij mbase e kanë kuptuar që Shqipëria trajtohet si çiflig personal nga Edi Rama. Dhe për të vazhduar të marrin projekte miliona eurosh, jashtë çdo logjike demokratike, i kërkojnë atij që të qëndrojë përjetësisht në pushtet përmes formave antidemokratike.
Është e kuptueshme që këta emra të mëdhenj të arkitekturës perëndimore nuk e shohin Shqipërinë si një shtet me qytetarë që meritojnë të drejta, por si një laborator eksperimental ku mund të përfitojnë mbi kurrizin e gjithkujt.
Qytetarët që kanë dalë prej një muaji në shesh për të protestuar kundër korrupsionit, grabitjes së pronës publike apo manipulimit të votës, Edi Rama i ka shpallur “armiq të zhvillimit” ose “bashkëpunëtorë e zëdhënës të regjimit iranian”. Por siç kuptohet nga “sinqeriteti” i De Graaf, rreziku më i madh për Shqipërinë nuk vjen nga ata që kërkojnë llogaridhënie në rrugë, por nga ata që hyjnë në zyrat e kryeministrit me projekte miliona eurosh nëpër duar dhe propozojnë instalimin e një autokracie absolute.
Reinier de Graaf plotëson çdo kriter logjik, moral dhe politik për t’u shpallur person “Non Grata” në Republikën e Shqipërisë. Minim më të madh, më të hapur dhe më cinik të parimeve demokratike sesa të kërkosh vrasjen e votës së lirë për interesa financiare, nuk mund të ketë.
Por, sigurisht, Edi Rama nuk do ta shpallë kurrë non grata. Sepse De Graaf, me siguri, ka thënë me zë të lartë atë që kryeministri e mendon dhe e zbaton çdo ditë nën rrethin e tij të ngushtë të pushtetit absolut.