Aplikacion
Nga Anna Shkreli
Ka një lloj ironie që historia e rezervon vetëm për fundet e epokave. Kur Reinier de Graaf botoi pak muaj më parë ‘Architecture Against Architecture: A Manifesto” (Verso, 2026), libri “u paraqit” si autokritikë bashkëkohore e profesionit. Arkitektura, shkruante ai, gjendet në luftë me vetveten. Kulti i stararkitektit është konsumuar, autoriteti moral i profesionit është zbehur dhe besimi se arkitektura, në vetvete, përfaqëson një forcë të së mirës nuk gjen më mbështetje. Ishte si njëfarë diagnoze se vetë arkitektura po fitonte vetëdijen kritike që prej dekadash ua kërkonte të tjerëve.
Pak muaj më vonë, në Tiranë, i njëjti brez arkitektësh u gjend përballë një prove më të rëndësishme se çdo përsiatje teorike, debati akademik apo bienaleje, u gjend para një territori konkret, në bash të një konflikti qytetar, me kërkesat e veta mbi mjedisin, pronën, demokracinë dhe pushtetin. Në çelje të festivalit Bread & Heart këtë vit, një grup arkitektësh, redaktorësh dhe artistësh vendas u shkruan një letër të hapur arkitektëve të ftuar, në një përpjekje për t’i kujtuar profesionit parimet dhe etikën që dikur i kishin shpënë disa prej tyre në rangun e çmimeve ndërkombëtare. Letra, e shpërndarë fillimisht online në rrjete dhe në mediat Reporter.al dhe Nyje, ftonte arkitektët të njiheshin me kontekstin politik të vendit ku ishin ftuar të ndërhynin, të dëgjonin përpara se të projektonin. Po atë pasdite, disa përfaqësues të grupit shkrues e shpërndanë letrën dorazi në hyrje të një ekspozite të sapoçelur në COD, që përkonte me pasditen e parë të festivalit, një organizim që do ta shihja më shumë si panair se sa si festival, një display i tregut të ndërtimit, ku, kuriozisht, as Fakulteti i Arkitekturës nuk qe i ftuar.
Shumica e arkitektëve që hynë në COD zgjodhën të mos e merrnin letrën. Reagimi nuk qe ai i dikujt që dëshiron të hyjë në kontakt, të kuptojë dinamikën politike mbi territorin ku qe ftuar; reagimi qe mbrojtës, ashtu si mbrohet një territor i fituar në betejë, në një betejë që as nuk e ke luftuar vetë. Episodi në vetvete ka pak rëndësi. Ai është interesant vetëm si simptomë, sepse zbulon hendekun gjithnjë e më të dukshëm midis ligjërimit kritik që arkitektura prodhon për veten dhe mënyrës se si ajo sillet ballë pushtetit.
Po ato ditë prezantohej libri “The Albanian Files”, botim i Lars Müller Publishers, me nëntitullin, pa asnjë ironi të vetëdijshme, “Freedom and Architecture”. Një vëllim prej shtatëqind e ca faqesh: dosje pas dosjeje, firmë pas firme, projekte e vizione nga më të ndryshmet mbi Shqipërinë, aq të shumta sa është e pamundur të ndash ku fillon fantazia dhe ku mbaron prospekti real i të trajtuarit të një territori si tokë e askujt. Nuk dua të hyj në diskutim mbi planifikimin, konsultimet, impaktin mjedisor apo tokat. Këto tema tashmë janë kthjelluar mirë nga kondensimi i ligjërimit të njëzet e kusur ditëve protestë. Ajo që më intereson është zbulesa. Gjykoj se kjo dosje është zhveshja e përrallës me dekolonizim dhe praktika etike që perëndimorët janë përpjekur t’ia tregojnë vetes në dekadat e fundit, mbi vetëdijen, respektin, kulturat, bashkëjetesën, gjithçka që u mësua pas Luftës së Ftohtë rreth mënyrës se si arkitektura duhet ta shohë veten së brendshmi. Nga një sallë në tjetrën, nga një avion në tjetrin, historia deshi që zhveshja e perëndimit të ndodhte në tokën shqiptare.
Në faqet e dosjes gjen qindra emra studiosh, inxhinierësh e konsulentësh, një ekonomi e tërë profesioniste e ndërtuar mbi premtimin e një trualli ku gjithçka është e mundur. Dhe çfarë ofrohet në këmbim?
Në intervistën e tij brenda dosjes, De Graaf shkruan se në Evropë projekti i mirë vonohet nga too many cooks dhe se Shqipëria ka virtytin e rrallë të pakësimit të aktorëve, të reduktimit të atyre që mund të thonë ‘jo’. Shqipëria përshkruhet si ishulli i fundit ku arkitektura ka udhëheqësin e vetëm politik që e kupton trashëgiminë e profesionit. Vetë eseja kuratoriale e quan këtë gjendje ‘liri nga “jo”-ja’ në të gjitha format e saj. Vlen të ndalemi te formulimi: liria përkufizohet si mungesa e kundërshtisë. Sheshi publik paraqitet si arenë e demokracisë, me Richard Sennett-in të cituar në krye të faqes. Por demokracia që lëvdohet është perverse pasi është pikërisht ajo ku procesi demokratik është zhdukur si pengesë.
Në një letër të të njëjtit autor drejtuar kryeministrit Edi Rama, të publikuar po në këtë libër, në faqen 550, në mënyrë gja satirike, si për ta spinuar kriticizmin publik ndaj Edi Ramës, duke përdorur vetë fjalët e kritikës, koncepti i zgjedhjeve elektorale trajtohet si bezdi, ndërsa autori “shpreh” dëshirën e fjalëpërfjalshme për një autokraci, madje madje për një mbretëri… fanepsje nostalgjike që poshtë satirës snobe ngërthen përtalljen e vetë Kryeministrit ndaj qytetarëve. Nuk duhet harruar që libri është pajisur me parathënien e tij. Këta arkitektë që kanë ardhur në Tiranë, fizikisht dhe përmes faqeve të librit, nuk janë arkitektët e modernizmit të shekullit XX. Nuk janë brezi që besonte hapur tek planifikimi autoritar, tek tabula rasa apo tek misioni “civilizues” i profesionit. Përkundrazi, këta supozohet se janë brezi që e ndërtoi prestigjin e vet mbi kritikën e këtyre ideve. Ata u bënë figura të rëndësishme të arkitekturës globale duke folur për pjesëmarrjen, dekolonizimin, ripërdorimin, kujdesin ndaj komunitetit, përgjegjësinë sociale dhe kufijtë etikë të profesionit. Në universitetet më prestigjioze, në bienalet më të rëndësishme dhe në qindra botime, ky brez prodhoi një gjuhë të tërë vetëkritike mbi pushtetin e arkitekturës. Gjenerata e shkuar e arkitektëve u rrit në një ekonomi ku ikona ndërtohej me para nafte, me fonde shtetërore, me kapital që rrallë pyeste për origjinën. Muzeu i radhës, kulla e radhës, opera e radhës u financuan shpesh nga shtete autoritare të pasura, nga oligarkë, nga regjime që e përdornin arkitekturën si fasadë legjitimimi. Pikërisht kjo qe kritika që profesioni i bëri vetes në dekadën e fundit, që ikonat e shekullit të shkuar qenë ngatërruar me pastrimin e parave, me diktatorë, me pushtete që blinin prestigj dhe ku vendimet merreshin lart, banori injorohej, qyteti ndërtohej për njerëzit por kurrë me ta. Por të dëgjosh komunitetin do të thotë të ndërtosh më ngadalë, më pak, ndonjëherë të mos ndërtosh fare. Të respektosh impaktin mjedisor do të thotë ndonjëherë të ndalosh projektin. Të heqësh dorë nga autoriteti i stararkitektit do të thotë t’i japësh tjetërkujt të drejtën të thotë jo. Çdo fitore etike e dekadës së fundit ka qenë njëkohësisht një pengesë praktike për modelin ekonomik që i kishte bërë të mëdhenj. Profesioni u kap mes dy gjërave që nuk pajtohen lehtë.
Ajo që bëhet e dukshme këtu nuk është një histori shqiptare, por lodhja e një modeli kulturor perëndimor. Brezi që e ndërtoi autoritetin e vet moral duke kritikuar logjikën koloniale duket se po e mbyll karrierën duke kërkuar përsëri territore gjeografike dhe politike që funksionojnë sipas asaj logjike: hapësira ku rezistenca institucionale është minimale, ku pushteti është i përqendruar dhe ku vizioni i arkitektit mund të realizohet pa negocim demokratik. Vjosa, lumi i fundit i egër i Evropës, i shpallur park kombëtar, shfaqet në faqet e librit si vend ndërtimi me “porta” multifunksionale dhe qendra informimi, i veshur me gjuhën e turizmit.
Për fat të keq, e njëjta logjikë vlen tashmë edhe për botuesin. Lars Müller, shtëpia që botoi disa nga librat e rëndësishëm të dizajnit bashkëkohor, shfaqet këtu po aq e lidhur me të njëjtin sistem. Në krizën e letrës dhe të librit, kur botimi cilësor mbahet në këmbë me vështirësi, edhe ai gjen mbështetje në komisione që vijnë nga e njëjta tryezë dhe kalon pa filtra për botim letra të tilla si kjo më poshtë. Një mikeshë që rastësisht punon aty më ka rrëfyer mjaft anekdota për botimin e këtij libri, po fundja ato mbeten spekulime. Mbase e vetmja vlerë që i mbetet botuesit, i cili tashmë mund të quhet thjesht shtypshkrues, nuk është botimi në vetvete por se libri u botua bukur. Ironia përfundimtare nuk qëndron te fakti që kjo ndodh në Shqipëri por se ndodh pikërisht në momentin kur protagonistët e këtij procesi vazhdojnë të botojnë manifeste mbi nevojën që arkitektura të çlirohet nga vetvetja, pa e vënë re se çlirimi që kërkojnë dhe pushteti që pranojnë janë bërë e njëjta gjë.
