zoom

Aktualitet

Goditet banda e drogës në Mykonos, koka e grupit një shqiptar. Zbardhen detaje (EMRI)

Goditet banda e drogës në Mykonos, koka e grupit një shqiptar. Zbardhen detaje (EMRI)

Autoritetet greke kanë zhvilluar një operacion të gjerë kundër trafikut të lëndëve narkotike në ishullin e Mykonos, duke çuar në arrestimin e pesë personave që dyshohen si pjesë e një organizate kriminale.

Sipas hetimeve, drejtues i grupit është një shtetas shqiptar 37-vjeçar, i identifikuar si Euglent Alimani. Ai u arrestua së bashku me partneren e tij, një shtetase rumune, ndërsa policia po heton rolin e secilit anëtar të rrjetit.

Organizata vepronte kryesisht në Mykonos dhe në zonat me aktivitet të lartë turistik, ku dyshohet se shpërndante lëndë të ndryshme narkotike. Hetuesit vlerësojnë se fitimet e përfituara nga aktiviteti i paligjshëm arrijnë në rreth 700 mijë euro.

Sipas autoriteteve greke, grupi kishte nisur aktivitetin e tij kriminal që në mesin e muajit prill. Për transportin e drogës dhe lëvizjen e anëtarëve të organizatës përdoreshin automjete të një kompanie turistike, të cilat shërbenin si mbulesë për aktivitetin e paligjshëm.

Gjatë operacionit policor u ushtruan kontrolle në disa banesa dhe ambiente në Mykonos, Pire dhe Perama. Nga kontrollet u sekuestruan rreth 4.5 kilogramë kokainë, kokainë rozë, sasi kanabisi, tableta me substanca farmaceutike, ketaminë dhe kërpudha halucinogjene.

Hetimet tregojnë se 37-vjeçari shqiptar kishte një rol kyç në organizatë. Ai dyshohet se siguronte furnitorët, koordinonte transportin dhe magazinimin e drogës, organizonte shpërndarjen e saj dhe menaxhonte të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal.

Një tjetër anëtar i grupit, 38 vjeç, konsiderohet zëvendësi i tij dhe dyshohet se merrej me ruajtjen e lëndëve narkotike, shpërndarjen dhe administrimin e fitimeve. Ndërsa një 39-vjeçar kishte përgjegjësi për magazinimin e drogës, gjetjen e klientëve dhe ruajtjen e parave.

Dy personat e tjerë të arrestuar, një 25-vjeçar dhe një grua 38-vjeçare, dyshohet se ndihmonin në ruajtjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, si edhe në mbikëqyrjen e vendeve ku ato fshiheshin./ Zoom.al

Postime të lidhura