Aplikacion
Zbardhen detaje të reja nga dosja hetimore e SPAK për bandën e drogës së Salvatore Aliut, që u godit pak ditë më parë nga autoritetet shqiptare, duke shkëputur një nga fijet e trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Bisedat në Sky ECC mes Eldi Dizdarit dhe Salvatore Aliut, tregojnë se të dy ata diskutonin vazhdimisht për sasitë e drogës, mënyrat e transportit, pikat e kalimit dhe metodat e fshehjes së ngarkesave në kontenierë.
Nga dosja e SPAK rezulton se transporti i sasive të mëdha të kokainës konsiderohej një operacion i zakonshëm për rrjetin kriminal. Në disa raste flitet për ngarkesa që arrinin deri në 10 ton, ndërsa sipas bisedave, rrugët e trafikut dhe tregjet e shitjes konsideroheshin të sigurta.
Në një nga komunikimet e zbardhura shfaqet shqetësimi për peshat e çantava që transportonin punëtorët.
Dizdari kërkon që ngarkesat të mos tejkalojnë 45-50 kilogramë, pasi sipas tij, personat që merreshin me shkarkimin po ankoheshin vazhdimisht për lodhjen fizike.
Ai shprehet se disa prej tyre mezi arrinin të përfundonin punën, ndërsa pas shkarkimit nuk kishin as mundësi të komunikonin për shkak të lodhjes së madhe.
“Për Zotin kanë frikë po thyhen në mes, se ankohen gjithmonë. Po ngecin aty. Po u bje të fikët kot, haahahaahahah. Madje nuk kanë mundësi as të shkruajnë sms pas shkarkesave, pasi janë të mpirë”, është një prej mesazheve që bën pjesë në dosjen hetimore të SPAK.
Nga ana tjetër, Salvatore Aliu, që drejtonte grupin, shfaqet dakord me këtë kërkesë, duke deklaruar se do të përpiqej të përshtaste peshën e ngarkesave.
Në dosje thuhet se numri i çantave kishte rëndësi të veçantë, pasi pagesat në vendin e nisjes përllogariteshin sipas sasisë së paketimeve të futura në kontenierë.
Gjatë operacionit, SPAK lëshoi disa masa arresti, mes të cilëve edhe për Dritan Gjikën, Salvatore Aliun dhe Eldi Dizdarin. Po ashtu, u sekuestruan 491 pasuri të dyshuara si të krijuara nga aktiviteti kriminal, me një vlerë rreth 150 milionë euro
Deri tani në pranga ka rënë vetëm Florian Musaj, ndërsa të tjerët dyshohet se janë jashtë Shqipërisë./ Zoom.al