Aplikacion
Në mes të tensioneve mes punonjësve të kompanisë së tij dhe atyre të Valond Ademit në Aeroportin e Vlorës, biznesmeni Behgjet Pacolli ka dalë me një reagim të ri publik, duke komentuar zhvillimet që prej ditësh janë zhvendosur nga institucionet e drejtësisë në debatet në rrjetet sociale, të shoqëruara me akuza të ndërsjella.
Në një deklaratë të gjatë, Pacolli ngre shqetësime për ecurinë e projektit të aeroportit, duke pretenduar se disa vendime dhe veprime institucionale kanë penguar funksionimin normal të investimit.
Sipas tij, pas një takimi në Tiranë mes ekipit ligjor të MABCO-s dhe Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, janë ngritur dyshime serioze mbi ligjshmërinë e masës së sigurimit të vendosur nga gjyqtarja Miranda Nakaj. Pacolli pretendon se ky vendim bie ndesh me ligjin dhe praktikën gjyqësore të konsoliduar, duke sjellë pasoja të drejtpërdrejta për kompaninë dhe aktivitetin e saj.
Ai thotë se për shkak të kësaj mase është bllokuar mbajtja e Asamblesë së VIA-s, e planifikuar për 6 qershor 2026, ndërsa pasojat e vendimit, sipas tij, vazhdojnë të ndikojnë në funksionimin e shoqërisë. Po ashtu, Pacolli pretendon se ky vendim ka nxitur edhe grupe që, sipas tij, veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe pengojnë zhvillimin e projektit.
Në deklaratë, ai bën të ditur se ndaj gjyqtares është depozituar kallëzim në SPAK për veprime që MABCO i konsideron të paligjshme. Gjithashtu, ai përmend edhe pretendime se përfaqësues të Avokaturës së Shtetit kanë kërkuar bllokimin e mbledhjeve të ortakëve të VIA-s, çështje që, sipas tij, do t’i paraqiten më tej SPAK-ut për verifikim.
Pacolli paralajmëron gjithashtu kallëzim penal edhe ndaj punonjësve të Policisë së Vlorës, duke i akuzuar për mosveprim në situatat pranë kantierit të aeroportit dhe për moszbatim të masave për zhbllokimin e aksesit në zonën e punimeve.
Ai thekson se nuk mund të lejohet që, sipas tij, “shteti ligjor të zëvendësohet nga vetëgjyqësia e grupeve apo individëve”, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet për garantimin e vijimit normal të punimeve.
Në fund të deklaratës së tij, Pacolli nënvizon se kompania MABCO mbetet e angazhuar për zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje vetëm përmes rrugëve ligjore dhe në përputhje me ligjet shqiptare dhe standardet e shtetit të së drejtës.