zoom

Aktualitet

Tensionet në Aeroportin e Vlorës, punonjësit e MABCO-s nuk lejohen të hyjnë në kantier

Tensionet në Aeroportin e Vlorës, punonjësit e MABCO-s nuk lejohen të hyjnë në kantier

Situata në kantierin e Aeroportit të Vlorës paraqitet sërish e tensionuar edhe gjatë ditës së sotme. Sipas informacioneve nga terreni, punonjësit e kompanisë MABCO nuk janë lejuar të hyjnë në ambientet e terminalit dhe në zonën e aeroportit për të vijuar punimet.

Burimet bëjnë me dije se hyrjet në kantier vijojnë të jenë të bllokuara, ndërsa kamionë të kompanisë 2A Group ndodhen në hyrje të kantierit, duke penguar qarkullimin normal dhe aksesin e punonjësve në zonën e punimeve.

Në vendngjarje ka mbërritur edhe presidenti i MABCO-s, Emin Pacolli, vëllai i biznesmenit dhe ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli. Mësohet se ai ka kërkuar ndërhyrjen e Policisë së Shtetit për zgjidhjen e situatës dhe lejimin e vijimit të punimeve në aeroport.

Forcat e policisë kanë shkuar në kantier, por sipas deklarimeve të bëra në terren, nuk kanë ndërhyrë për zhbllokimin e situatës. Burime pranë vendngjarjes bëjnë me dije se efektivët kanë argumentuar se janë në pritje të udhëzimeve dhe procedurave përkatëse nga organet kompetente.

Ndërkohë, të gjitha hyrjet në kantierin e Aeroportit të Vlorës mbeten të bllokuara, duke pamundësuar hyrjen e punonjësve dhe vijimin normal të punimeve. Situata vijon të mbetet e tensionuar, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga palët e përfshira dhe institucionet përgjegjëse për zgjidhjen e konfliktit që po ndikon në ecurinë e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend.

Postime të lidhura