zoom

Aktualitet

“Ku kemi arritur, o Zot?”, Pacolli shpërthen për Aeroportin e Vlorës: Po na mbajnë peng 100 milionë euro investime

“Ku kemi arritur, o Zot?”, Pacolli shpërthen për Aeroportin e Vlorës: Po na mbajnë peng 100 milionë euro investime

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar ashpër për situatën e krijuar në Aeroportin e Vlorës, duke deklaruar se kompania e tij MABCO po përballet me një cenim të rëndë të sigurisë juridike dhe të drejtave të investitorëve.

Pacolli akuzon institucione shtetërore dhe segmente të drejtësisë se po lejojnë bllokimin e një investimi strategjik pa bazë ligjore.

Përplasja për Aeroportin e Vlorës ka hyrë në një fazë të re, pasi biznesmeni dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar publikisht pas ultimatumit 30-ditor që Ministria e Infrastrukturës u drejtoi ortakëve të koncesionit për të zgjidhur konfliktin mes tyre dhe për të përfunduar punimet.

Ndryshe nga versioni zyrtar që flet për një mosmarrëveshje mes ortakëve të kompanisë koncesionare, Pacolli pretendon se çështja ka marrë përmasa shumë më të rënda dhe lidhet me sigurinë juridike të investimeve në Shqipëri.

Sipas tij, prej gati një muaji asetet e aeroportit po mbahen të bllokuara pa asnjë vendim gjyqësor.

Prej gati një muaji, ndërtesat, terminali dhe asetet ku janë investuar mbi 100 milionë euro, së bashku me kolateralet financiare me vlerë mbi 210 milionë euro, mbahen të bllokuara në mënyrë të papranueshme nga grupe të caktuara, me mbështetjen e Policisë së Shtetit, pa asnjë vendim gjyqësor. Kjo nuk është thjesht një çështje procedurale. Kjo është një goditje e rëndë ndaj pronës private, investimit, sigurisë juridike dhe vetë shtetit të së drejtës”, deklaron Pacolli.

Biznesmeni hedh akuza të drejtpërdrejta edhe ndaj sistemit të drejtësisë, duke përmendur me emër një gjyqtare të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë.

Ajo që e bën edhe më skandaloze këtë situatë është fakti se këto veprime tentohen të mbulohen edhe përmes vendimeve gjyqësore të dyshimta, si në rastin e gjyqtares së Shkallës së Parë të Tiranës, znj. Miranda Nakaj, e cila ka nxjerrë vendime që bien hapur ndesh me ligjin dhe me vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë”, shprehet ai.

Reagimi i plotë:

Vazhdojmë betejën tonë për Aeroportin e Vlorës. Dhe këtë betejë nuk do ta ndalim.

Prej gati një muaji, ndërtesat, terminali dhe asetet ku janë investuar mbi 100 milionë euro, së bashku me kolateralet financiare me vlerë mbi 210 milionë euro, mbahen të bllokuara në mënyrë të papranueshme nga grupe të caktuara, me mbështetjen e Policisë së Shtetit, pa asnjë vendim gjyqësor.

Kjo nuk është thjesht një çështje procedurale. Kjo është një goditje e rëndë ndaj pronës private, investimit dhe ndaj sigurisë juridike dhe ndaj vetë shtetit të së drejtës.

Ajo që e bën edhe më skandaloze këtë situatë është fakti se veprime të tentohen të mbulohen edhe përmes vendimeve gjyqësore të dyshimta, si në rastin e gjyqtares së Shkallës së Parë të Tiranës, znj. Miranda Nakaj, e cila ka nxjerrë vendime që bien hapur ndesh me ligjin dhe me vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë.

Këto çështje nuk janë të reja. Ato janë shqyrtuar më parë nga Gjykata e Lartë, e cila i ka dhënë të drejtë të plotë kompanisë Mabco. Megjithatë, sot po veprohet sikur ligji nuk ekziston, sikur vendimet e Gjykatës së Lartë nuk kanë asnjë vlerë dhe sikur prona private mund të merret peng nga kushdo që ka forcë, lidhje apo mbështetje institucionale.

Pyetja është e thjeshtë dhe duhet t’i trondisë të gjithë:

Ku kemi arritur, o Zot?

Në çfarë gjendjeje është katandisur siguria juridike në Shqipëri?
Çfarë vlere ka ligji, kur nuk zbatohet?
Çfarë vlere ka Gjykata e Lartë, kur vendimet e saj sfidohen?
Çfarë garancie ka një investitor, kur mbi qindra miliona euro mund të bllokohen pa një vendim përfundimtar gjyqësor?

Kjo nuk është Shqipëria demokratike që pretendojmë të ndërtojmë.
Kjo është një alarm i madh për drejtësinë, për ekonominë dhe për çdo qytetar që beson ende se ligji duhet të qëndrojë mbi forcën.

Ne nuk do të heshtim. Nuk do të tërhiqemi. Dhe nuk do të lejojmë që Aeroporti i Vlorës të mbahet peng nga paligjshmëria.

Postime të lidhura