zoom

Aktualitet

Pacolli shpërthen për Aeroportin e Vlorës: Grupe kriminale kanë marrë kontrollin, na kanë nxjerrë jashtë

Pacolli shpërthen për Aeroportin e Vlorës: Grupe kriminale kanë marrë kontrollin, na kanë nxjerrë jashtë

Biznesmeni nga Kosova, Behgjet Pacolli, ka reaguar sërish për situatën e krijuar në Aeroportin e Vlorës, duke hedhur akuza të forta se kompania e tij, MACBO, është penguar prej javësh të hyjë në kantierin e ndërtimit, ndërsa kontrolli i aeroportit, sipas tij, është marrë nga grupe të jashtëligjshme.

Në një postim në rrjetet sociale, Pacolli pretendon se që prej 18 majit, punonjësit dhe nënkontraktorët e kompanisë së tij nuk lejohen të futen në aeroport, ndonëse, sipas tij, punimet ishin drejt përfundimit dhe objekti ndodhej në fazën e pastrimit dhe sistemimit të ambienteve.

Ai akuzon grupe që i cilëson kriminale se, me ndihmën e Policisë së Shtetit, kanë marrë kontrollin e aeroportit, ndërsa pretendon se persona të paautorizuar hyjnë dhe dalin nga terminali, marrin materiale, dëmtojnë inventarin dhe vandalizojnë ambientet.

Sipas Pacollit, ka informacione se po tentohet edhe disponimi apo shitja e aseteve pa praninë dhe autorizimin e kompanisë që ka realizuar investimin.

Biznesmeni kosovar thekson se kompania e tij ka fituar çështjen edhe në Gjykata e Lartë, por pavarësisht kësaj, vijon të mbahet jashtë aeroportit.

“Ajo që po ndodh sot nuk është vetëm një padrejtësi ndaj neve apo ndaj kompanisë që përfaqësojmë. Është një goditje ndaj sigurisë juridike, ndaj investimeve dhe ndaj besimit që çdo investitor duhet të ketë te shteti dhe institucionet e tij”, shprehet Pacolli.

Ai ka kritikuar gjithashtu mungesën e reagimit nga Prokuroria e Tiranës, duke deklaruar se kallëzimet dhe provat e paraqitura prej muajsh nuk kanë marrë ende një përgjigje.

Në përfundim, Pacolli u bën thirrje institucioneve shqiptare të ndërhyjnë për të garantuar zbatimin e ligjit, respektimin e vendimeve të formës së prerë të gjykatave dhe mbrojtjen e investimit në Aeroportin e Vlorës, të cilin e cilëson një projekt strategjik për Shqipërinë.

Postimi i plotë:

AEROPORTI I VLORES,

Terminal dhe ndërtesat perrreth të kryara, ishim në fazen e pastrimit dhe dekorimit me gjelbrim kur më 18 maj na u mbyllën përfundimisht dyert – neve dhe nënkontraktorëve tanë. Nuk mundëm të hynim më.

Grupe jashtëligjore, me ndihmën e Policisë së Shtetit, na ndaluan hyrjen në një aeroport që e kishim ndërtuar me përkushtim, profesionalizëm, me mbi 310 miljan te angazhuar dhe dashuri për vendin.

Ne donim vetëm ta përfundonim dhe ta vinim në operim aeroportin. Gjithçka ishte pothuajse gati: terminali, infrastruktura, sistemet teknike, strukturat profesionale dhe menaxhimi ndërkombëtar nga Dublini.

Fituam edhe në Gjykatën e Lartë, e cila na dha të drejtë në të gjitha aspektet kryesore të çështjes. Megjithatë, edhe sot na thuhet se “pa vullnetin e qeverisë do të mbetemi jashtë”!

Jashtë aeroportit që kemi ndërtuar me mund përkushtim e dashuri!😡😡😡

Po…. Si po shkojn gjërat, e vertë, deri tani,
Ndërkohë, jemi zëvendësuar nga grupe të mbështetura nga interesat e GRUPE TE ERRËTA TE NDIHMUAR NGA DIKUSH!
Persona të paautorizuar hyjnë e dalin nga terminali, marrin materiale, dëmtojnë inventarin, vandalizojnë ambientet dhe, sipas informacioneve që marrim, madje tentojnë të disponojnë pasuri që nuk u përkasin e deri të shitja e e aseteve, pa prezencen tone!

Nga momenti kur po i shof deshmitë se persona të paautorizuar, prej më shumë se pesë muajsh, hyjnë dhe dalin nga terminali ( për ta shitur apo përvetësuar ilegalishtë atë), pa praninë dhe autorizimin e pronarit, më dhemb shpirti!😔
Ai terminal është ndërtuar me profesionalizëm, me mund, me përgjegjësi dhe me një kosto të jashtëzakonshme financiare. Ai terminal ka edhe nje Zot! Çdo hapësirë e tij mban gjurmën e punës së shumë qindra njerëzve dhe të një investimi të bërë me besim tek e ardhmja e Shqipërisë.

Tani këta njerëz jane të privuar madje të hynje dhe t’ju dalin zot mjeteve dhe instrumenteve të punës që jane të bllokuara me muaj!

“E kemi ndërtuar për të mirën e shqiptarëve, me shumë mund, sakrifica dhe para, jo për dikë tjetër.”

Ajo që po ndodh sot nuk është vetëm një padrejtësi ndaj neve apo ndaj kompanisë që përfaqësojmë.

Është një goditje ndaj sigurisë juridike, ndaj investimeve dhe ndaj besimit që çdo investitor duhet të ketë tek shteti dhe institucionet e tij.

Prokuroria e Tiranës hesht që nga shtatori, pa asnjë zhvillim në lidhje me kallëzimet dhe provat e paraqitura.

Gjatë një interviste në Prokurorinë Penale më është thënë një fjali qe më shqetëson për drejtësinë ne Shqipëri e këte do ta mbaj për vete deri në ditën kur të botoj librin tim të ardhshëm.

Sot apeloj, në emër të interesit publik, në emër të drejtësisë shqiptare dhe në emër të shtetit ligjor, që organet kompetente të veprojnë sa nuk është vonë. Kjo nuk është më një çështje private apo një konflikt biznesi. Kjo është një çështje e respektimit të ligjit, e zbatimit të vendimeve të formës së prerë të gjykatave dhe e mbrojtjes së një investimi strategjik për Shqipërinë.

Apeloj që të hetohen me seriozitet të gjitha veprimet e grupeve që kanë krijuar këtë situatë. Jo për hakmarrje, jo për konflikt, por për të vërtetën, për ligjin dhe për interesin publik. Aeroporti i Vlorës është ndërtuar me dashuri, me krenari dhe me bindjen se do t’i shërbejë qytetarëve shqiptarë dhe zhvillimit të vendit, e jo për qefet e interesat e askujt!

Kërkoj vetëm drejtësi, transparencë dhe mbrojtje nga grupet dhe bandat që, gradualisht, jo vetëm po tentojnë të përvetësojnë pronën tonë, por po cenojnë edhe të drejtën tonë themelore për SIGURI , dinjitet dhe mbrojtje ligjore.

Shpresoj që institucionet e shtetit të reagojnë, jo për mua (edhe pse me kërcnojnë) por për Shqipërinë, për rendin juridik dhe për besimin që qytetarët dhe investitorët duhet të kenë tek shteti e drejtësia.
😡😡😡

Postime të lidhura