zoom

Aktualitet

I dënuar për “Masakrën e Qafë Gjashtës”, Gjykata e Lartë shuan dënimin për Alqi Pagunin

I dënuar për “Masakrën e Qafë Gjashtës”, Gjykata e Lartë shuan dënimin për Alqi Pagunin

Gjykata e Lartë ka vendosur të shuajë dënimin me 15 vite burg ndaj Alqi Pagunit, një prej të dënuarve për ngjarjen e njohur si “Masakra e Qafë Gjashtës”, ku në mars të vitit 1997 mbeti i vrarë oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Vendimi është marrë rreth dy muaj më parë, por është zbardhur vetëm ditët e fundit.

Pas një kalvari procesesh gjyqësore që zgjati më shumë se dy vite në të gjitha shkallët e gjyqësorit, Gjykata e Lartë arriti në përfundimin se dënimi i Pagunit është parashkruar. Ai ishte dënuar me 15 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda më 11 maj 2011, ndërsa vendimi mori formë të prerë më 13 mars 2014.

Sipas vendimit të shumicës së trupit gjykues, dënimi prej 15 vitesh hyn në kategorinë e dënimeve që parashkruhen pas 10 vitesh. Kundër këtij interpretimi votoi vetëm gjyqtarja Albana Boksi, e cila argumentoi se një dënim i përcaktuar saktësisht me 15 vite burg duhet të konsiderohet pjesë e kategorisë së dënimeve që parashkruhen pas 20 vitesh, sipas nenit 68 të Kodit Penal.

Çështja ka kaluar në disa shkallë gjyqësore. Në vitin 2024, Gjykata e Sarandës pranoi kërkesën e Pagunit për parashkrimin e dënimit, por vendimi u rrëzua më pas nga Gjykata e Apelit. Në fund, Gjykata e Lartë i dha të drejtë kërkesës së tij, duke vendosur shuarjen e dënimit.

Vendimi pritet të ketë ndikim edhe për të dënuar të tjerë të së njëjtës dosje. Njëri prej tyre është Aleksandër Bala, gjithashtu i dënuar me 15 vite burg për të njëjtën ngjarje. Ndërsa Gjykata e Sarandës pranoi kërkesën e Pagunit për parashkrim, ajo rrëzoi kërkesën e Balës, pavarësisht se të dy janë dënuar me të njëjtën masë dhe në të njëjtën periudhë. Nuk dihet ende nëse Bala e ka apeluar vendimin.

Në të njëjtën situatë ndodhet edhe Mikel Kendezi, i njohur gjithashtu me emrat Flamur dhe Vladimir Kendezi, i dënuar me 15 vite burg për këtë çështje. Ndërkohë, Arben Kendezi dhe Agron Qurku, të dënuar me nga 16 vite burg, nuk përfitojnë nga ky interpretim dhe dënimet e tyre parashkruhen në vitin 2034.

Alqi Paguni, pronar i një karburanti në Sarandë, u arrestua në nëntor të vitit 2007 gjatë një operacioni policor për ekzekutimin e urdhër-arresteve ndaj personave të dyshuar për “Masakrën e Qafë Gjashtës”. Sipas dosjes, grupi akuzohej për vrasjen dhe djegien e oficerit të policisë Gjergj Mehmeti më 4 mars 1997, mbajtjen peng dhe torturimin e oficerit Eduard Aliaj, si dhe tentativën për vrasjen e efektivëve Sokol Bizhga dhe Myzafer Blushi.