Aplikacion
TIRANË – Beteja ligjore për kontrollin dhe administrimin e interesave në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës (VIA) nuk ka të ndalur.
Pasi dështoi të mbante në fuqi bllokadën ligjore ndaj kompanisë “Mabco Construction” S.A., shoqëria “2A Group” sh.p.k., nën drejtimin e administratorit Kushtrim Krivaqa, ka ndërmarrë një sulm publik agresiv ndaj trupës gjykuese të Gjykatës së Lartë që dha vendimin e fundit.
Në një deklaratë për mediat, “2A Group” e Valon Ademit, akuzon hapur kryesuesin e trupit gjykues për “vendimmarrje të paracaktuar” dhe “konflikt të hapur interesi”, duke pretenduar se gjyqtari ka raporte të afërta me përfaqësuesin ligjor të palës kundërshtare. Kompania kërkuar përjashtimin e gjyqtarit Artur Kalaja nga Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë.
Kronologjia e një përplasjeje në gjykata
Deri më tani, “2A Group” kishte arritur të siguronte një avantazh të dukshëm në gjykatat e faktit. Sipas pretendimeve të tyre, plot 12 vendime të njëpasnjëshme nga Gjykatat e Shkallës së Parë dhe të Apelit (ku u përfshinë mbi 20 gjyqtarë) kishin rrëzuar pretendimet e “Mabco Construction” S.A. Këto gjykata, sipas tyre, kishin konfirmuar “rrezikun objektiv nga tentativa për inkorporimin e strukturave të dyshimta ‘offshore'”.
Mirëpo, ndërhyrja e Gjykatës së Lartë e ka përmbysur këtë ekuilibër. “2A Group” e ka cilësuar këtë vendim si një “paradoks juridik” që injoron një vëllim masiv faktesh:
“Është juridikisht e pakuptueshme dhe logjikisht e pamundur që një instancë e lartë të injorojë plotësisht një vëllim kaq masiv faktesh… Kjo anomali shpjegohet vetëm nga një fakt se ky nuk është një vendim i mbështetur në frymën dhe gërmën e ligjit, por një vendim i paracaktuar,” thuhet në reagimin e kompanisë.
Beteja zhvendoset te Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD)
Përpara se Gjykata e Lartë të shprehej, “2A Group” kishte depozituar një denoncim zyrtar për të bllokuar gjykimin, duke pretenduar njëanshmëri. Dokumentet e siguruara konfirmojnë se Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani ka regjistruar zyrtarisht ankesën e kompanisë në protokoll me Nr. 1663 prot., datë 25.05.2026 , pas dorëzimit të saj më 21 maj.
Beteja vazhdon
Në fund të reagimit të saj, “2A Group” nxiton të sqarojë se ky vendim i Gjykatës së Lartë nuk e mbyll përfundimisht çështjen e Aeroportit të Vlorës, pasi ai ka të bëjë vetëm me njërën nga masat e sigurimit të padisë dhe nuk lidhet me shqyrtimin e themelit të çështjes.
Kompania deklaron me vendosmëri se nuk do të njohë asnjë “skemë të errët financiare” mbi këtë aset të rëndësisë kombëtare dhe se beteja ligjore do të vazhdojë në të gjitha instancat e mundshme të drejtësisë. Mbetet për t’u parë nëse ILD do të nisë një hetim disiplinor ndaj trupës gjykuese të Gjykatës së Lartë pas këtij denoncimi publik me tone tejet të ashpra.
“Mabco”: Fundi i bllokadës së paligjshme
Pas shpalljes së vendimit të Gjykatës së Lartë, i cili rrëzoi masën e sigurimit të padisë të kërkuar nga “2A Group”, kompania “Mabco” e konsideroi atë si një triumf të ligjshmërisë dhe si fundin e një ngërçi të qëllimshëm ligjor që po mbante peng kantierin në fazën e tij përfundimtare.
Sipas saj, vendimi i Gjykatës së Lartë ktheu në vend të drejtën e “Mabco”, e cila zotëron shumicën absolute (98%) të aksioneve të shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport” (VIA), duke zhbërë vendimet e gjykatave të faktit që i kishin hequr të drejtën e votës dhe administrimit.
Përfaqësuesit e “Mabco” kanë sqaruar se konflikti nisi nga pretendimet e Valon Ademit se kishte blerë 47% të aksioneve përmes një kontrate shitblerjeje në prill 2025. Kompania e Pacollit e ka hedhur poshtë me forcë këtë, duke deklaruar se nuk kanë nënshkruar kurrë një kontratë të tillë dhe se bëhet fjalë për skema manipulative për të marrë peng një investim strategjik kombëtar.
Për të garantuar transparencë maksimale dhe për t’u dhënë përgjigje akuzave të palës tjetër, kompania zvicerane ka premtuar zyrtarisht se do të kryejë një audit ndërkombëtar për certifikimin e sigurisë së të gjitha punimeve të bëra deri tani dhe për të nisur menjëherë procesin e kolaudimit të aeroportit.
Për Pacollin, ky vendim “zhbllokon” përfundimisht punimet në kantier, ku javët e fundit situata kishte degraduar deri në përplasje fizike mes punëtorëve të dy kompanive në hyrje të aeroportit. /Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari