Aplikacion
Situata në kantierin e Aeroportit të Vlorës vijon të mbetet e tensionuar, pasi nënkontraktorët e kompanisë “MABCO” janë në ditën e pestë të protestës, duke kërkuar akses në zonën e punimeve për të tërhequr pajisjet dhe materialet e tyre të punës.
Ata qëndrojnë prej ditësh përpara hyrjes së kantierit, ndërsa deklarojnë se nuk kanë marrë ende një përgjigje zyrtare për zgjidhjen e situatës. Në terren vijon të jetë e pranishme edhe policia, e cila monitoron zhvillimet.
Konflikti lidhet me përplasjen mes aksionerëve dhe administratorëve të kompanisë “Mabco”, ku palët janë përfshirë në mosmarrëveshje ligjore për kontrollin dhe administrimin e projektit. Çështja ka shkuar edhe në gjykatë.
Nga ana tjetër, biznesmeni Behgjet Pacolli, në reagimin e tij të radhës ka deklaruar publikisht se situata në kantier është shqetësuese. Ai ka pretenduar se një pjesë e stafit teknik, përfshirë edhe inxhinierë të huaj, ndodhen në kushte të kufizuara lëvizjeje brenda zonës së punimeve dhe se furnizimi i tyre me ushqime dhe ilaçe po bëhet me vështirësi.
Sipas tij, bllokimi i hyrjes në kantier po dëmton jo vetëm ecurinë e projektit, por edhe imazhin e Shqipërisë në sytë e partnerëve ndërkombëtarë. Ai ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme të institucioneve për normalizimin e situatës.
Ndërkohë, ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi paralajmëroi ortakët e Aeroportit të Vlorës se qeveria do të vendosë penalitete ndaj tyre për mbajtjen peng të objektit dhe se kontrata koncesionare do të rishikohet, deri në zgjidhje të njëanshme të saj.
Reagimi i plotë:
Inzhinjeret nderkombetarë në gjëndje paraburgimi në kampin e Mabcos!
Edhe sot vazhdon e njëjta skenë e papranueshme në hyrje të Aeroportit të Vlorës. Punëtorët shqiptarë, inxhinierët dhe nënkontraktorët që kanë ndërtuar këtë aeroport, nuk po lejohen të hyjnë në vendin e tyre të punës. Hyrja vazhdon të mbahet e bllokuar nga roje private, nën praninë e Policisë së Shtetit.
E megjithëkëtë, pjesa më e rëndë ndodh brenda territorit të aeroportit. Mbi 50 inxhinierë kinezë ndodhen ende të izoluar brenda kampit të MABCO-s, në kushte krejtësisht të papranueshme. Ata nuk lejohen të dalin normalisht për të ushtruar punën e tyre dhe janë vënë përballë një situate absurde: të largohen pa të drejtë kthimi. Këta njerëz nuk kanë ardhur në Shqipëri për t’u trajtuar si të dyshuar apo si të burgosur. Kanë ardhur për të punuar në një projekt strategjik.
Sot ata kërkuan ushqim dhe medikamente. Dhe vetëm me shumë vështirësi arritëm t’u dërgojmë ndihmë bazike. E gjithë kjo po ndodh para syve të institucioneve shtetërore. Jemi duke folë për shkelje serioze të të drejtave themelore njerëzore, të standardeve ndërkombëtare të punës dhe të çdo norme minimale të trajtimit dinjitoz të njerëzve. Asnjë konflikt kontraktual nuk mund të justifikojë izolimin e njerëzve dhe bllokimin fizik të stafit teknik në një kantier strategjik.
I bëj thirrje institucioneve shqiptare të ndërhyjnë menjëherë për t’i dhënë fund kësaj situate të turpshme, që po dëmton jo vetëm projektin, por edhe imazhin e Shqipërisë përballë partnerëve dhe investitorëve ndërkombëtarë./ Zoom.al