zoom

Ekonomi

Bllokimi i punës në aeroportin e Vlorës, përfaqësuesit e Pacollit: S’na prek vetëm ne, është çështje imazhi për Shqipërinë!

Bllokimi i punës në aeroportin e Vlorës, përfaqësuesit e Pacollit: S’na prek vetëm ne, është çështje imazhi për Shqipërinë!

Përfaqësuesit e kompanisë “Mabco”, në pronësi të biznesmenit të njohur Behgjet Pacolli kanë dalë këtë të mërkurë, më 20 maj, në një konferencë për mediat, ku kanë folur lidhur me përplasjet e ditëve të fundit të cilat kanë sjellë bllokim të punës në aeroportin e Vlorës.

Në këtë konferencë, përfaqësuesit e kompanisë kanë deklaruar se kjo nuk është më thjesht një çështje konflikti mes dy kompanish.

“Nuk është më çështje konflikti mes dy bizneseve, por është çështje e sigurisë së investimeve strategjike në vendin tonë nga njëra anë dhe nga ana tjetër është çështje e funksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri.

Aeroporti i Vlorës nuk është një objekt i zakonshëm ndërtimi, është një projekt strategjik për Shqipërinë, turizmin, transportin ajror dhe është çështje imazhi për vendin tonë, sa i përket investimeve të huaja në Shqipëri. Për këtë arsye, çdo pengesë dhe çdo bllokim, dhe çdeo heshtje institucionale apo pengim nga ana e institucioneve nuk prek vetëm kompaninë Mabco, por prek besimin tek shteti shqiptar.”, tha përfaqësuesja e kompanisë, Ornela Çuçi.

Ajo shtoi se kompania “Mabco” kërkon që aeroporti i Vlorës të përfundojë në mënyrë të ligjshme, transparente, të certifikuar dhe “mbi të gjitha të sigurt”.

Më tej, Çuçi akuzoi kompaninë “2A Group” se është ajo që po bëhet pengesë për vijimin e punimeve.

Ajo theksoi se “Mabco” është pronare 98% të kuotave në shoqërinë “Vlora International Airport” shpk dhe se po ashtu, kompania e Pacollit, ka investuar 92 milionë euro direkt në projekt dhe 152 milionë euro kolateral për të garantuar kredinë bankare.

Dhe po ashtu ka dhënë garanci në bankë një shumë prej 72 milionë eurosh. Ndërkohë nga kredia e marrë, sot 30 milionë euro të kredisë janë përdorur kompania tjetër, “2A Group”, si nënkontraktor.

“Si është e mundur që investitori kryesor, që mban dhe barrën kryesore të përgjegjësisë, sot përjashtohet nga informacioni, nga kantieri, mbledhjet teknike në kantier por edhe nga proceset e certifikimit, siguria?”, pyet ajo, duke shtuar se tanimë kjo shkon në problem të funkisionimit të shtetit ligjor në Shqipëri.

Çuçi tha se pavarësisht se kompania i është drejtuar institucioneve për zgjidhje, por vetëm zgjidhje nuk ka marrë.

Kompanitë “Mabco” dhe “2A Group”, të cilët po kryejnë punimet në aeroportin e Vlorës prej disa muajsh janë në mosmarrëveshje për shkak të pretendimeve për kuotat që zotërojnë në “Vlora International Airport”.

Postime të lidhura