zoom

Ekonomi

Pacolli: Punonjësit në aeroportin e Vlorës pa ushqim. Policia, në funksion të “forcave të errëta”

Pacolli: Punonjësit në aeroportin e Vlorës pa ushqim. Policia, në funksion të “forcave të errëta”

Behgjet Pacolli, pasi hoqi dorë nga projekti i aeroportit të Vlorës, ka njoftuar se punonjësit e kompanisë së tij, Mabco, po mbahen nën presion nga Policia, pa ushqim dhe mjekime.

Pacolli akuzon se Policia e Shqipërisë është vënë në funksion të “forcave të errëta” dhe ka kërkuar reagim nga institucionet e drejtësisë.

Gjithçka ka nisur muaj më parë.

Në qendër të konfliktit janë dy aksionerët kryesorë të projektit: Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi. Përplasja mes tyre ka përfunduar në dyert e gjykatës, e cila aktualisht ka bllokuar çdo lëvizje mbi aksionet e kompanisë koncesionare.

Valon Ademi, aksioneri i minorancës, e ka akuzuar publikisht Pacollin për mashtrim, ndërsa thelbi i konfliktit lidhet me ndarjen e aksioneve: zyrtarisht Ademi zotëron 2%, por pretendon 47%, duke u mbështetur në një kontratë noteriale të firmosur pas largimit të grupit turk “YDA” nga koncesioni.

Grupi “YDA”, që zotëronte 40% të aksioneve, ia shiti ato kompanisë “Mabco” të Pacollit për shumën simbolike prej 4,200 eurosh. Në të njëjtën ditë, “Mabco” dhe “2A Group” e Ademit firmosën një marrëveshje të re që përcaktonte një ndarje 53% me 47% të aksioneve.

Ndërkohë, përplasjet kanë sjellë pasoja direkte në drejtimin e projektit: administratori i parë u shkarkua, ndërsa i dyti dha dorëheqjen, duke e lënë aeroportin në një situatë pasigurie institucionale.

Reagimi i Pacollit:

Prej katër ditësh me radhë, Policia e Shtetit, përmes dhunës verbale, fyerjeve, kërcënimeve dhe pengesave të pajustifikuara, po ndalon aksesin e mjeshtërve, inxhinierëve dhe profesionistëve shqiptarë e ndërkombëtarë në vendet e tyre të punës.

Mes tyre ndodhen edhe mbi 50 specialistë nga Kina, të cilët aktualisht gjenden në konviktin e punëtorëve të Mabcos, brenda perimetrit të rrethuar me tela, me liri lëvizjeje të kufizuar, madje edhe për nevoja bazike si furnizimi me ushqim dhe medikamente. Ata po jetojnë të frikësuar dhe në një gjendje presioni të vazhdueshëm psikologjik.

Këta njerëz nuk kanë as mundësinë të kujdesen për sendet dhe pajisjet e tyre personale e profesionale, të cilat ndodhen në ndërtesën e Terminalit. Një trajtim i tillë është jo vetëm i padrejtë dhe i papranueshëm, por ngre dyshime serioze për abuzim me autoritetin shtetëror dhe për përdorimin e Policisë së Shtetit jashtë misionit të saj ligjor.

Policia nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si instrument presioni ndaj punëtorëve, specialistëve dhe profesionistëve që kërkojnë thjesht të ushtrojnë detyrën e tyre. Kur uniforma shtetërore vihet në shërbim të interesave të errëta, cenohet jo vetëm e drejta e individit, por edhe besimi i qytetarëve te shteti dhe drejtësia.

Kjo situatë kërkon sqarim të menjëhershëm, përgjegjësi institucionale dhe ndërhyrje të ligjshme për të garantuar lirinë e lëvizjes, dinjitetin njerëzor dhe të drejtën për punë të çdo personi të përfshirë.

Postime të lidhura