Aplikacion
Ministri i Infrastrukturës dhe i Energjisë, Enea Karakaçi paralajmëruar këtë të premte, më 22 maj, se nuk do të tolerohet situata e krijuar nga konflikti mes 2 kompanive koncensionare që ka bllokuar punën për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.
Në një konferencë për shtyp me gazetarët, Karakaçi tha se e ka ndjekur konfliktin me vëmendje dhe e ka shikuar me shqetësim sjelljen e deritanishme të palëve.
“Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë ka ndjekur çdo fazë të procesit të ndërtimit të aeroportit të Vlorës me vëmendje të plotë dhe rigorozitet, në përputhje me kushtet e koncesionit dhe kuadrin ligjor shqiptar dhe ndërkombëtar. Të drejtat e të gjitha palëve janë respektuar.
Vërejmë me shqetësim se Sjellja e deritanishme e palëve zhvilluese, bllokimi i kantierit, konfliktet gjyqësore dhe shkeljet kontraktore kanë shkaktuar vonesa kritike dhe dëm reputacional ndaj projektit. Kjo sjellje nuk do të tolerohet dhe shteti do të shfrytëzojë të gjitha mjetet për respektimin e detyrimeve kontraktore.
Konflikti që po pengon realizimin e aeroportit të Vlorës duhet të kuptohet se është, në thelb, një mosmarrëveshje e pastër civile dhe kontraktore mes dy palëve private”, tha Karakaçi i cili më tej paralajmëroi se mund të ketë edhe penalitete.
“Sa i përket aeroportit të Vlorës, siç unë e referova, aeroporti nuk është operacional. Kur flasim për operacionalitet, nuk bëhet fjalë vetëm për ndërtimin e veprës civile, por edhe për marrjen e të gjitha certifikatave për bërjen publik të aktivitetit ajror. Kjo nuk ka ndodhur! Në bazë të kontratës, këto duhej të kishin ndodhur. Penaliteti do t’u vendoset subjekteve tregtare. Mosmarrëveshja që ju keni parë gjithë këtë kohë është një mosmarrëveshje private mes 2 shoqërive që kanë marrë pjesë me vullnetin e tyre të lirë. Po bëhet shkak për vonesa të mëtejshme dhe për prishjen e reputacionit të aeroportit të Vlorës”, deklaroi më tej ministri, i cili shtoi se zhvillimet e fundit janë të papëlqyeshme së pari për qytetarët shqiptarë, por edhe për shtetin.