Aplikacion
Behgjet Pacolli ka deklaruar se është i gatshëm të tërhiqet nga përplasja për aeroportin e Vlorës, duke theksuar se nuk ka ndërmend të vazhdojë një konflikt me shtetin shqiptar, pavarësisht tensioneve të fundit mes palëve.
Në një reagim publik, ai ka akuzuar institucionet dhe palën tjetër të përfshirë në projekt për mënyrën se si po menaxhohet situata në kantier, duke e cilësuar ndërhyrjen e autoriteteve si të padrejtë dhe të dëmshme për investimin dhe punonjësit e përfshirë.
Sipas tij, kompania që ai përfaqëson ka përfunduar pjesën më të madhe të punimeve dhe ka investuar qindra milionë euro në projekt, ndërsa ka pretenduar se një pjesë e fondeve janë marrë nga pala kontraktore përmes garancive financiare. Pacolli ka këmbëngulur se detyrimet ndaj nënkontraktorëve dhe punëtorëve janë shlyer ose do të shlyhen plotësisht.
Ai ka ngritur gjithashtu shqetësime për situatën e krijuar në terren, duke shtuar se punonjësit janë larguar nga kantieri duke lënë pas pajisje dhe materiale pune.
Në deklaratën e tij, biznesmeni ka theksuar se, pavarësisht konfliktit, do të kërkojë zgjidhje ligjore dhe nuk do të vazhdojë përplasjen në mënyrë të hapur, duke lënë të kuptohet se çështja do të ndiqet në rrugë gjyqësore.
Ndërkohë, pala tjetër në projekt ka deklaruar më herët se kontrata e bashkëpunimit nuk është respektuar në afat dhe se kjo ka sjellë përjashtimin e kompanisë së Pacollit nga administrimi i punimeve.
Prej tri ditësh, punonjësit e kompanisë së Valon Ademit nuk kanë lejuar hyrjen brenda në aeroport të 22 nënkontraktorëve të thirrur nga Pacolli, për të kryer punime brenda aeroportit.
Ndërkohë, këta të fundit bllokuan derën kryesore duke mos lejuar daljen e automjeteve të “2A Group” të Valon Ademit.
Prej ditës së djeshme, forca të shumta të policisë janë vendosur në aeroportin e Vlorës për t’i bërë pritë të tjera përplasjeve mes punonjësve të kompanisë.
Reagimi i plotë i Behgjet Pacollit:
Një gazetar autoritativ nga Shqipëria më telefonoi sot, këtu në Astana, dhe më pyeti:
“Zoti Pacolli, çfarë do të bëni tani, pasi aeroportin jua morën me Policinë e Shtetit?”
Përgjigjja ime ishte e qartë:
Objektet të cilat MIE, më 24 gusht, i kishte ndarë nga tërësia e projektit dhe i kishte përcaktuar për t’u përfunduar nga MABCO, janë faktikisht të përfunduara. Që nga marsi i këtij viti, në pritje të përmbushjes së detyrimeve nga VIA, ne kemi pastruar objektet, kemi kryer punimet përfundimtare dhe kemi rregulluar edhe gjelbërimin përreth.
Aeroporti është ndërtuar ekskluzivisht me mjetet e mia financiare. Janë mbi 310 milionë euro të investuara dhe të angazhuara në formë garancish. Vetëm Valon Ademi, si punëkryes, ka marrë mbi 35 milionë euro nga garancioni i MABCO-s.
Aeroportin — le ta marrin! Unë nuk dua të luftoj me shtetin. Shteti e ka fuqinë e vet dhe mund ta përdorë si të dojë. Por mënyra se si po përdoret kjo fuqi është joligjore dhe e papranueshme për një vend që pretendon të jetë shtet ligjor. Çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur, koha do ta tregojë. Pa merak.
Pyetja e dytë ishte:
“Çfarë do të ndodhë me njerëzit që tani kanë mbetur pa punë dhe a do të paguhen nënkontraktorët?”
Iu përgjigja se ata janë paguar dhe çdo detyrim i mbetur do të paguhet deri në centin e fundit. Sa u përket punëtorëve dhe ekspertëve tanë, ne do të përpiqemi t’i angazhojmë në projekte të tjera jashtë vendit. Ata për ne kanë vlerë dhe nuk do të lihen pas dore.
Por për këta njerëz, përveç anës financiare, ekziston edhe një problem shumë më i madh: ai njerëzor dhe moral. Këta njerëz janë prekur në dinjitetin e tyre nga ndërhyrja e policisë. Në kantier u kanë mbetur instrumentet e punës, pajisjet, sendet personale, kasafortat, materialet personale, materialet e punës në magazina dhe shumëçka tjetër.
Më e rënda është se është cenuar dinjiteti njerëzor i njerëzve të punës — i atyre që në këtë projekt kanë dhënë mundin, djersën, profesionalizmin dhe një pjesë të jetës së tyre.
Pikërisht këtu qëndron padrejtësia më e madhe. Çështjet materiale të MABCO-s, herët a vonë, do të rregullohen me ligj. Por dëmi që i bëhet dinjitetit të njeriut, besimit te shteti dhe imazhit të Shqipërisë para investitorëve nuk riparohet lehtë.
Unë, për aq sa është e mundur, do të vazhdoj të mbroj interesin e kombit, interesin e punëtorëve dhe parimin se shteti duhet të jetë garant i ligjit — jo instrument presioni ndaj atyre që punojnë, ndërtojnë dhe investojnë./ Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari