Aplikacion
Një ditë pasi kryeministri Edi Rama prezantoi reflektimet e tij mbi protestat e zhvilluara në Tiranë dhe njoftoi një qasje të re qeverisëse për mandatin e katërt, janë zbardhur detaje nga dokumenti strategjik i quajtur “BESA”.
Sipas dokumentit, projekti i Zvërnecit, i cili u bë edhe shkak i protestave, do të jetë testi i parë i kësaj metodologjie të re të qeverisë.
Plani parashikon që brenda 90 ditëve të zhvillohen dëgjesa publike me banorët e zonës, studiues, ekspertë, si edhe me grupet që kanë protestuar, përpara se të merret një vendim përfundimtar mbi të ardhmen e projektit.
Dokumenti thekson se procesi do të zhvillohet pa paragjykime dhe se të gjitha alternativat mbeten të hapura, duke përfshirë vazhdimin e projektit, ndryshimin e tij, vendosjen e kushteve të reja, rikonceptimin ose edhe ndalimin, në varësi të ligjit, kontratave dhe provave të mbledhura.
Në dokument thuhet gjithashtu se metoda “BESA” synon një ndryshim në mënyrën e qeverisjes, duke kaluar nga fokusi te investimet drejt një modeli që vendos në qendër qytetarin, shërbimet publike dhe transparencën në vendimmarrje.
Në përfundim të procesit do të hartohet edhe një analizë e mënyrës se si është menaxhuar çështja përpara protestave, për të nxjerrë mësime dhe për të identifikuar përgjegjësitë, aty ku ato provohen.
I gjithë procesi, sipas dokumentit, do të bëhet publik përmes një platforme të quajtur “Flamingo Mirror”, ku do të publikohen dokumentet dhe ecuria e dosjeve me interes të lartë publik.Zbardhet plani “BESA” i Ramës