zoom

Bota

Investigimi/ Si mafia përdor macet për t’i vënë flakën pyjeve për të blerë tokat e djegura

Investigimi/ Si mafia përdor macet për t’i vënë flakën pyjeve për të blerë tokat e djegura

Jo vetëm jugu i Francës, por edhe jugu i Italisë po digjet.

Në disa rajone të Kalabrisë, prej disa ditësh po shpërthejnë zjarre të mëdha dhe flakët po kërcënojnë banorët. Tani ka dalë në dritë fakti se zjarret janë vënë qëllimisht nga zjarrvënës. Madje dyshohet se pas tyre mund të qëndrojë edhe mafia, e cila ka përdorur një metodë jashtëzakonisht mizore.

Sipas autoriteteve, persona të panjohur u kanë lidhur bishtat maceve me copa pëlhure të lagura me lëndë djegëse, i kanë ndezur dhe më pas i kanë trembur kafshët drejt pyjeve dhe fushave, ku ato kanë përhapur zjarret shkatërruese.

Ekipet e emergjencës, të tronditura nga ajo që gjetën

“Ne kemi gjetur pajisje zjarrvënëse që janë vepër jo vetëm e një mendjeje kriminale që ka vepruar me dashje, por edhe e një mendjeje të çrregulluar. Në disa raste kemi parë skena të pabesueshme: maceve u ishin lidhur në bisht copa pëlhure të njomura me lëndë të ndezshme. Më pas ato ishin ndjekur drejt fushave për të nxitur përhapjen e zjarreve”, tha Domenico Costarella, drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile të Rajonit të Kalabrisë.

“Këto janë akte çnjerëzore”, shtoi ai.

Sipas Costarellës, ekipet e shpëtimit mbetën të shokuara kur në pyjet dhe fushat e djegura gjetën mbetjet e maceve të keqtrajtuara.

Autoritetet thuhet se disponojnë edhe fotografi të maceve që digjeshin, por nuk i kanë publikuar për arsye respekti ndaj kafshëve.

Dyshimet për mafian

Nuk është ende e qartë nëse zjarret në Kalabri janë vërtet vepër e mafias kalabreze (‘Ndrangheta). Autoritetet kanë nisur hetimet.

Megjithatë, kjo metodë nuk është e panjohur në Itali dhe konsiderohet karakteristike e krimit të organizuar. Që në vitin 2016, mafia kishte përdorur të njëjtën mënyrë mizore për të ndezur zjarre në Sicili, sipas asaj që raportonte në atë kohë drejtori i Parkut Kombëtar Nebrodi, Giuseppe Antoci.

Studimi: Mafia i përdor zjarret për të ushtruar pushtet

Sipas Lauren R. Pearson, studiuese në Universitetin e Berkeley-t në Kaliforni, zjarret e qëllimshme janë një mjet pushteti për mafian.

Në studimin e saj të vitit 2025, me titull “Land on Fire” (“Toka në flakë”), ajo shpjegon se mafia i përdor zjarret në pyje për:

-të marrë nën kontroll zona të caktuara,

-të blejë tokat e djegura me çmime të ulëta,

dhe të përfitojë financiarisht nga rindërtimi i mëvonshëm.

Ndërkohë që zjarrfikësit në jug të Italisë vazhdojnë luftën me flakët, Costarella bëri thirrje për një ndryshim të mentalitetit: “Duhet të vazhdojmë punën tonë, por mbi të gjitha kemi nevojë për një ndryshim kulturor. Këto janë akte çnjerëzore. Fatkeqësisht, armiku më i madh i njeriut është vetë njeriu.”

Postime të lidhura