Aplikacion
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ia kushtoi fjalën e tij protestave të zhvilluara në muajin qershor, duke theksuar se ato duhet të shërbejnë si një moment reflektimi për qeverinë dhe mazhorancën.
Rama tha se shqiptarët nuk e krahasojnë më vendin me të kaluarën, por me standardet dhe mundësitë që presin të arrijnë, ndaj edhe kërkojnë më shumë llogari nga qeveria.
“Ne e nxorëm Shqipërinë nga epoka e mungesave. Sot përballemi me një popull që e mat Shqipërinë me pritshmëritë e veta dhe na kërkon llogari për gjithçka që mbetet për t’u bërë. Ka të drejtë. Sa më i madh dhe më i fortë të jesh, aq më shumë duhet ta kuptosh këtë”, u shpreh Rama.
Duke iu referuar protestave në bulevard gjatë qershorit, kreu i qeverisë tha se qytetarët që dolën në shesh nuk duhen konsideruar “mosmirënjohës”, por si njerëz që kërkojnë standarde më të larta nga qeverisja.
“Dua t’u them atyre që protestuan, atyre që dolën në bulevard dhe edhe atyre që protestuan në heshtje, në Shqipëri apo jashtë vendit, se nuk janë mosmirënjohës. Ata janë matësit e rinj të standardeve tona”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, mes protestuesve kishte edhe votues të Partisë Socialiste, si edhe punonjës të administratës publike, të cilët, sipas tij, dolën për të dhënë një mesazh që shkonte përtej bindjeve politike.
Gjatë mbledhjes, kryeministri bëri të ditur se ka përgatitur dy dokumente që, sipas tij, përmbledhin reflektimet e nxjerra nga kjo periudhë. I pari lidhet me drejtimin strategjik të mandatit të katërt qeverisës, ndërsa i dyti përcakton mënyrën se si Partia Socialiste duhet të mbështesë këtë kthesë.