Aplikacion
Pamjet që mbërritën në mëngjes nga Terminali i Aerportit Ndërkombëtar të Vlorës, VIA, ku punëtorët e kompanisë Mabco të Behgjet Pacollit u futën me forcë për të kryer punët e lëna përgjysmë, janë fotografia më e qartë e një shteti që po humbet çdo ditë e më shumë autoritetin përpara qytetarëve.
Për muaj me radhë, policia e Edi Ramës ishte bërë gardh përpara aeroportit për të penguar investitorin mazhoritar Mabco, që ka 98% të aksioneve,që të futej brenda veprës, duke mbrojtur aksionerin Valon Ademic që ka vetëm 2% të aksioneve.
Pacolli u detyrua të bëjë cirk nëpër institucione e gjykata derisa Gjykata e Lartë i dha të drejtën që i takonte. Ai pati kundër të gjithë mekanizmat shtetërorë. Por edhe tani që Gjykata i dha të drejtë, mekanizmat me mbështetje shtetërore donin ta mbanin jashtë investimit të tij. Në këtë mënyrë, kur e pa veten që shteti e futi në një rrugë pa krye, Pacolli vendosi të marrë në dorë vetë fatin e vet.
Të dielën banorët e Nivicës shkulën portën dhe rrethimin e plazhit të Kakomesë, që mbahej i izoluar prej 22 vitesh. Shteti ia kishte dhënë një investitori, por investimi nuk u krye kurrë për shkak të problemeve me tokën. Për vite me radhë, si forcat e policisë private të kontraktuara nga kompania, si policia, ishin bërë njësh kundër qytetarëve që kërkonin të drejtën e pronës. Tani, përballë presionit në rritje të qytetarëve, ranë si kështjella prej letre.
Revolta ka përfshirë edhe plazhin e Rrjollit prej muajsh, ku sërish një kompani private po investon për një resort turistik në toka të kontestuara. Banorët hoqën javën e shkuar rrethimin me tela me gjemba. Disa javë më parë ata u rrahën nga policia private e kompanisë, me shkopa gome, grushta e sende të tjera të forta, të mbështetur nga policia. Në protestën e fundit, policia bëri më shumë spektatorin, ndërsa nga privatët nuk pati gjurmë.
Të gjitha këto po ndodhin pasi kulmi që çliroi revoltën e akumuluar popullore shpërthe në Zvërnec. Nga aty, prej më shumë se 3 javësh shqiptarët po mbushin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” si kurrë më parë në histori, për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij nga pushteti. Zvërneci shpërtheu zemërimin që po akumulohej vit pas vit, vendim pas vendimi, për padrejtësitë, arrogancën, bullizimin shtetëror, konkurrencën e pandershme, korrupsionin galopant, shëndetësinë e rrënuar, arsimin e shkatërruar, drejtësinë e korruptuar.
Njerëzit që janë ngritur në revoltë në çdo cep të Shqipërisë janë ndier të shtypur dhe pa zë për vite me radhë. Kanë parë se si u janë marrë pronat, se si atyre që nuk kanë pasur mbështetje nga partia në pushtet apo nuk kanë paguar rryshfet nuk u janë legaliuar shtëpitë, sesi shërbimi shëndetësor nuk u ofrohet nëse nuk paguajnë para nën dorë, sesi ushtria e arsimtarëve të punësuar politikisht nuk ua mëson dot fëmijët, sesi policia që paguajnë me taksat e rënda më shpejt bëhet palë me krimin se me qytetarin pa përkrahje.
Përballë gjithë këtyre padrejtësive, njerëzit kanë zbritur sot në shesh për të marrë atë që u takon. Këto skena që po shohim janë pasojat e një qeverisje që ka zgjedhur të favorizojë një grusht njerëzish në kurriz të shumicës së shqiptarëve; pasoja të një sistemi të ndërtuar jo për qytetarin, por për të korruptuarit, trafikantët, milionerët e call center -ave dhe çdo batakçi tjetër që i shërben partisë në pushtet për të qëndruar sa më gjatë në drejtim të vendit.
Shqiptarëve u është marrë gjithçka ndër vite, por mbi të gjitha u është prekur liria dhe ndjesia e të jetuarit në një vend ku ekziston drejtësia. Ata e kanë kuptuar se ky sistem punon vetëm për pak vetë dhe tani nuk kanë më çfarë të humbasin.
Prandaj masa e njerëzve që refuzojnë këtë realitet po rritet përditë. Shpërthimi i nisur tek plazhet e bllokuara nga babëzia ka zbritur në shesh për të marrë mbrapsht qeverisjen që u takon. Sepse shteti ka pushuar së qëni garant i të gjithëve, por ka garantuar prej vitesh vetëm mirëqenien e pushtetarëve servilë dhe një grushti njerëzish në pakicë. Kupa po derdhet dhe njerëzit po e marrin vetë në dorë fatin e tyre. Ky ështe vetëm fillimi i një fundi të paralajmëruar për çdo pushtet që ndërtohet në kurriz të masës dhe duke e përjashtuar atë nga çdo vendimmarrje, për shkak se e sheh atë lehtësisht të manipulueshme dhe të pavlerë, një zhvlerësim ky që nis që nga blerja e votës. /Zoom.al