Aplikacion
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar protestat e zhvilluara gjatë fundjavës në Tiranë, duke i cilësuar ato si një nga mobilizimet më të mëdha qytetare dhe politike të viteve të fundit.
Në një deklaratë për mediat, Berisha vlerësoi pjesëmarrjen e shqiptarëve të ardhur nga vende të ndryshme të Evropës dhe botës, duke theksuar se angazhimi i diasporës i dha protestës një dimension të veçantë.
Sipas kreut të opozitës, mijëra shqiptarë udhëtuan drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestave kundër qeverisë, duke e cilësuar këtë mobilizim si një shprehje të pakënaqësisë ndaj qeverisjes aktuale.
Berisha deklaroi se tubimet e fundjavës përbëjnë një mesazh të qartë politik dhe një tregues të mbështetjes që opozita gëzon brenda dhe jashtë vendit.
Pjesë nga fjala e Sali Berishës:
Jam këtu për të përshëndetur përzemërsisht dhe me mirënjohje të pakufishme ata dhjetëra mijëra apo qindra mijëra qytetare dhe qytetarë, demokrate dhe demokratë, që udhëtuan nga të katër anët e Evropës dhe botës dhe u bashkuan të shtunën dhe të dielën me dhjetëra mijëra qytetarë, duke i dhënë Tiranës dhe kombit një det të vërtetë shprese me protestën e tyre të paparë ndonjëherë.
Uikendi që kaloi, kryengritja paqësore më e fuqishme apo protesta paqësore më e fuqishme e njohur në histori mund të quhet si yikendi i diasporës, i atyre të rinjve dhe të rejave, burrave dhe grave që udhëtuan mijëra e mijëra kilometra, nga toka, deti dhe ajri dhe u bashkuan me bashkëatdhetarët e tyre për largimin e regjimit autoritar më të egër që Shqipëria ka njohur pas diktaturës totalitare të Enver Hoxhës.
Ky akt madhështor ka mbushur me besim dhe shpresë zemrat e mbarë shqiptarëve dhe të kombit shqiptar.
Me vendimin dhe pjesëmarrjen e tyre, bashkëatdhetarët tanë nga diaspora në shumicë dërrmuese anëtare dhe mbështetës të PD, që zgjodhën të mbështesin protestën qytetare për rrëzimin e Edi Ramës, Pashiqit shqipfolës apo Çubrilloviçit që me qeverisjen e tij të keqe ka përzënë shqiptarët nga Shqipëria dy herë më shumë se Pashiqi dhe Gjeorgjeviçi në zbatim të kësaj doktrine nga Kosova.
Manifestimi dhe rrethimi epik i epiqendrës së krimit është një arritje historike, e cila e bën të pashpresë, e bën fund e krye të pashpresë sundimin e Edi Ramës dhe mafies së tij në Shqipëri./ Zoom.al