zoom

Lajme

E quajti “shpirt i humbur”, Spiropali i përgjigjet Ramës

E quajti “shpirt i humbur”, Spiropali i përgjigjet Ramës

Ish-kryetarja e Kuvendit dhe ish-ministrja socialiste, Elisa Spiropali iu është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së e ironizoi duke e quajtur një “shpirt i humbur”, ndërsa u shpreh kritik për idenë e saj për një “Shqipëri të re”, duke kërkuar ta artikulojë këtë koncept, si edhe të paraqesë një plan konkret.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Spiropali u shpreh se vendi ka nevojë për një Marrëveshje të Re për Shqipërinë dhe se ky proces duhet të nisë edhe nga vetë Partia Socialiste.

“Po, do ta kemi Marrëveshjen e Re për Shqipërinë. Shqipërinë që duam të ndërtojmë duhet ta bëjmë, dhe do ta bëjmë, më të hapur, më të drejtë, më meritokratike, më europiane”, shkruan deputetja socialiste.

Spiropali thekson se PS-ja duhet të gjejë forcën për t’u reformuar dhe për t’u përmirësuar nga brenda, duke u bërë më dinamike, më demokratike dhe më kompakte.

“Partisë Socialiste i duhet të gjejë forcat, të mbledhë mendjen, të vetëpastrohet, të bëhet më dinamike, më demokratike, më kompakte, për të mbetur gjithmonë e re, gjithmonë e pastër”, shprehet ajo.

Deputetja socialiste nënvizon se ndryshimi i vendit nis nga ndryshimi i vetes, duke shtuar se “po nuk lartësuam veten, nuk mund ta përmirësojmë vendin”.

Reagimi i Spiropalit vjen pasi Rama deklaroi se ata që flasin për një “Shqipëri të re” duhet të paraqesin një draft konkret dhe jo vetëm kritika publike.

Në fjalën e tij, kryeministri theksoi se debati brenda partisë është i mirëpritur vetëm nëse shoqërohet me propozime konkrete dhe jo vetëm me kritika publike.

“Ah është dhe një thirrje për një marrëveshje të re, Shqipëri të re. Ka dhe shpirtra të humbur këtu në familjen tonë politike që duan një Shqipëri të re. Fare ….Të ma shkruajnë draftin për Shqipërinë e re dhe të ma sjellin. Një nga ata që flet për draft është Fatosi. Nëse ai është një flamingo që fluturon lart…. Do të sulmohemi por….Nuk jam i zgjedhur për të qenë i pëlqyer. Se më ka ikur ajo kohë. Më njeh Erioni mirë. Edhe kopertinën e Zëri të Popullit, e zgjodhi me kujdes qe të isha i pëlqyer.
Le të vijojnë sirenat atë punë kanë, ne kemi një punë tjetër. Mos u çudisni që në këtë rrugë do të kemi shumë të tjerë që do të na ndalin kundër. Ne kemi fakte sa të duash. Jemi në një kohë kur falë algoritmit dhe botës pa kufij”, tha Rama./Zoom.al

Postime të lidhura