zoom

Lajme

Tensionet mes Ramës dhe Spiropalit, Braçe mbështet ish-ministren: Përjashton partia, jo individi

Tensionet mes Ramës dhe Spiropalit, Braçe mbështet ish-ministren: Përjashton partia, jo individi

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka komentuar debatet e fundit brenda kampit socialist mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministres së Jashtme Elisa Spiropali.

Në një intervistë për Euronews Albania, Braçe deklaroi se shqetësimet e ngritura nga Spiropali për “ministrokracinë” dhe “drejtorokracinë” janë reale dhe shqetësojnë një pjesë të deputetëve socialistë.

Sipas tij, personalizimi i pushtetit ndikon jo vetëm te qeverisja, por edhe te deputetët, duke krijuar pabarazi mes atyre që mbajnë poste ekzekutive dhe deputetëve të thjeshtë.

““Personalizimin e pushtetit e vuan edhe qeverisja, edhe ne si deputetë, ministrokracionë dhe drejtokracinë e vuajmë edhe ne si deputetë. Është pabarazi mes atyre që janë edhe deputetë, edhe ministra dhe kanë gjithë hierarkinë e shtetit me vete. Çfarë problemi ka të flasësh për këtë? Ndoshta është marrëdhënie personale mes të dyve, nëse zonja e pranon, por ne të gjithë jemi investim i PS, të gjithë jemi deficitare ndaj PS, ka dhënë më shumë PS ndaj nesh se ne.

Unë po flas për debat brenda PS, këto nga jashtë nuk më duhen… Duhet t’i themi gjërat në sy për gjërat që nuk shkojnë dhe të kemi bonsensin t’i pranojmë, se nuk është sakrilegj të pranosh kritika për pushtetin…”, u shpreh Braçe.

I pyetur nëse Spiropali mund të përjashtohet nga grupi parlamentar socialist për shkak të qëndrimeve të saj, deputeti tha se vendime të tilla i merr partia dhe jo individët.

“Përjashton partia, jo individët. Mendoj se PS nuk përjashton”, deklaroi ai.

Braçe theksoi gjithashtu se debatet dhe kritikat brenda Partisë Socialiste duhet të shihen si pjesë normale e funksionimit politik dhe jo si sulme ndaj partisë.

Postime të lidhura