Aplikacion
Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ashpër ndaj Ujësjellësit të Tiranës dhe drejtimit politik të kryeqytetit, pas një problemi me furnizimin me ujë në zonën e Postës në Njësinë 5.
Deputeti socialist tha se prej më shumë se një muaji uji rrjedh në rrugë, ndërsa banorët kanë dy javë që kanë njoftuar institucionet përkatëse pa marrë zgjidhje.
Në një postim në rrjetet sociale, Braçe u shpreh se edhe vetë kishte njoftuar personalisht drejtorin e Ujësjellësit të Tiranës katër ditë më parë, por situata mbetet e pazgjidhur. Ai kritikoi gjithashtu drejtuesit politikë të Tiranës, duke thënë se zhvillojnë takime në zonat ku ai është deputet pa e njoftuar dhe pa adresuar problemet konkrete të banorëve.
“Lutje e kam, si deputeti që merret me këto punë ndërkohë që të tjerët shesin ajër: na e zgjidhni këtë hallin”, shkroi Braçe, duke shtuar se lagjja ka vuajtur edhe verën e kaluar për mungesë uji.
Deputeti socialist ngriti edhe kritika politike brenda Partisë Socialiste, duke deklaruar se përveç “personalizimit të pushtetit”, tashmë ekziston edhe “personalizimi i partisë”. Sipas tij, socialistët dhe qytetarët e zakonshëm po lihen jashtë vendimmarrjes dhe vëmendjes politike.