Aplikacion
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj zërave kritikë brenda së majtës, të cilët kanë kërkuar një qasje të re politike dhe reflektim mbi protestat e fundit.
Kritikat erdhën edhe nga figura të njohura të së majtës, përfshirë ish-kryeparlamentaren Elisa Spiropali dhe ish-deputeten Arta Dade, të cilat kanë shprehur qëndrime të ndryshme nga linja zyrtare e partisë.
Në fjalën e tij, kryeministri u shpreh kritik ndaj ideve për një “Shqipëri të re”, duke kërkuar që ata që e artikulojnë këtë koncept të paraqesin edhe një plan konkret.
Ai theksoi se debati brenda partisë është i mirëpritur vetëm nëse shoqërohet me propozime konkrete dhe jo vetëm me kritika publike.
“Ah është dhe një thirrje për një marrëveshje të re, Shqipëri të re. Ka dhe shpirtra të humbur këtu në familjen tonë politike që duan një Shqipëri të re. Fare ….Të ma shkruajnë draftin për Shqipërinë e re dhe të ma sjellin. Një nga ata që flet për draft është Fatosi. Nëse ai është një flamingo që fluturon lart…. Do të sulmohemi por….Nuk jam i zgjedhur për të qenë i pëlqyer. Se më ka ikur ajo kohë. Më njeh Erioni mirë. Edhe kopertinën e Zëri të Popullit, e zgjodhi me kujdes qe të isha i pëlqyer.
Le të vijojnë sirenat atë punë kanë, ne kemi një punë tjetër. Mos u çudisni që në këtë rrugë do të kemi shumë të tjerë që do të na ndalin kundër. Ne kemi fakte sa të duash. Jemi në një kohë kur falë algoritmit dhe botës pa kufij”, tha Rama.
Në 35-vjetorin e PS, Arta Dade refuzoi ftesën e kryesocialistit Edi Rama për të marrë pjesë në organizim.
Ajo kritikoi zhvillimet brenda PS-së dhe organizimin e një “antimitingu”, siç e cilësoi ajo. Sipas saj, nuk gjenden në aktivitetet e organizuara nga lart, por në sheshin ku prej ditësh po zhvillohet protesta e rinisë për dinjitet dhe të drejta sociale.
Ndërsa Elisa Spiropali ka deklaruar se nevojitet një marrëveshje e re për Shqipërinë, duke iu referuar vënies së shtetit në shërbim të qytetarëve, jo të pushtetit.
Sipas Spiropalit, vendi ka nevojë për institucione të pavarura, një parlament më përfaqësues, drejtësi funksionale, media të lira dhe një sistem zgjedhor që garanton konkurrencë reale./ Zoom.al