Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka lëshuar një paralajmërim të drejtpërdrejtë për disa kryetarë bashkish të Partisë Socialiste, duke i kritikuar për mungesën e tyre në komunitetet që drejtojnë dhe për qëndrimin e shpeshtë në Tiranë gjatë ditëve të punës.
Gjatë takimit me kryebashkiakët, Rama tha se ka marrë vazhdimisht ankesa nga qytetarët për disa drejtues vendorë, të cilët, sipas tij, largohen nga bashkitë që administrojnë dhe kalojnë kohë në kryeqytet në vend që të jenë pranë komunitetit.
“Kam marrë informacione se vini në Tiranë edhe në ditët kur duhet të jeni në krye të detyrës. Kjo praktikë duhet të marrë fund”, u shpreh kreu i qeverisë, duke theksuar se fenomeni nuk është i përhapur te të gjithë kryetarët e bashkive, por vetëm te disa prej tyre.
Kryeministri paralajmëroi se nëse situata nuk ndryshon, herën tjetër do të bëjë publikë edhe emrat e kryebashkiakëve që, sipas tij, po neglizhojnë detyrën.
“Disa kryetarë sot nuk dua t’i përmend me emra, por herën tjetër do të duhet t’i përmend publikisht”, deklaroi Rama.
Ai tha se shqetësimet kanë ardhur në mënyrë të përsëritur nga komunitete të ndryshme, veçanërisht në juglindje të vendit dhe në aksin Tiranë-Korçë, ndërsa sqaroi se nuk e kishte fjalën për të gjithë kryebashkiakët socialistë.
Në fund të fjalës së tij, Rama e mbylli mesazhin me një paralajmërim të koduar për drejtuesit vendorë: “Po e mbyll me një buzëqeshje të ëmbël dhe të mos kthehet në një buzëqeshje të hidhur për asnjërin.”
Premtime të reja për një problem të vjetër, Rama: Program të ri parkimi me privatët!