Aplikacion
Kryeministri Edi Rama është rikthyer sërish te çështja e parkimeve, një problem i njohur prej vitesh në qytetet shqiptare, të cilin qeveria e ka trajtuar në mënyrë periodike me nisma dhe premtime të përsëritura për zgjidhje.
Këtë herë, ai njoftoi një “program të posaçëm për parkimet” që, sipas tij, do t’u vihet në dispozicion të gjitha bashkive të vendit dhe do të shoqërohet me mekanizma të rinj financimi për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme.
Rama tha se skema e re për menaxhimin e parkimeve do të jetë “fitimprurëse” edhe për bashkitë edhe për privatin, duke nënkuptuar hapësira parkimi vetëm me pagesë për qytetarët.
“Bashkitë do të mund të bashkëpunojnë me subjektet private që do të ftohen të marrin pjesë në këto projekte, në territorin e atyre lagjeve që sot përdoren për parkime shqetësuese dhe ndotëse dhe ku faktikisht kanë të drejtën e pronës. Këto subjekte mund të angazhohen për të ndërtuar një infrastrukturë parkimesh shumë më fitimprurëse dhe shumë më miqësore me komunitetin”, deklaroi Kryeministri.