Aplikacion
Marinela Zalla, bashkëshortja e të shumëkërkuarit Ylli Zalla, ka reaguar në rrjetet sociale, pas operacionit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në fshatin Zallë të Fushë-Krujës nga Policia e Shtetit dhe forcat speciale RENEA.
Në një video dhe mesazh të dërguar për JOQ Albania, ajo kundërshton në mënyrë kategorike akuzat që rëndojnë mbi bashkëshortin e saj lidhur me atentatin e ndodhur në Rinas në nëntor të vitit 2025 dhe ngre pretendime të forta se operacioni i fundit nuk kishte si qëllim arrestimin e tij, por eliminimin fizik.
Deklarata e saj vjen një ditë pasi Policia e Shtetit njoftoi se kishte zhvilluar një tjetër operacion për kapjen e 49-vjeçarit, i cili rezultoi sërish i pasuksesshëm. Sipas policisë, Ylli Zalla nuk u gjet në banesë, ndërsa gjatë kontrollit u sekuestrua një tjetër armë zjarri që dyshohet se i përket atij.
Por bashkëshortja e tij pretendon se ngjarja ka ndodhur ndryshe.
“Mbrëmjen e djeshme ka ndodhur një akt i paprecedentë. Forcat RENEA bashkë me Policinë e Komisariatit të Fushë-Krujës kanë vajtur në shtëpinë e tij dhe kanë gjuajtur me plumba drejtpërdrejt për ta vrarë. Po, kishin urdhër për ta vrarë! Kujt i intereson vdekja e tij? Kush do t’ia mbyllë gojën Ylli Zallës?”, shprehet ajo në deklaratën e saj.
Marinela Zalla pretendon se bashkëshorti i saj po akuzohet padrejtësisht për atentatin e Rinasit dhe kërkon që hetimet të fokusohen te zbardhja e plotë e asaj ngjarjeje.
“Ylli është i pafajshëm. Pse nuk hetohet ajo ngjarje makabre? Pse nuk del e vërteta? Kush i fiku dritat në mes të Rinasit për orë të tëra? Kush përfiton duke akuzuar një njeri të pafajshëm dhe duke e futur në hasmëri me persona të tjerë?”, deklaron ajo.
Sipas saj, fakti që Ylli Zalla ka precedentë penalë nuk përbën provë për përfshirjen e tij në atentatin ku humbën jetën Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.
“Po, ka precedentë penalë. Ka bërë burg dhe e ka vuajtur dënimin. Por kjo nuk do të thotë që duhet të akuzohet për çdo ngjarje që ndodh”, shprehet bashkëshortja e tij.
Ajo paralajmëron gjithashtu se do të ndjekë rrugë ligjore ndaj mediave që, sipas saj, kanë publikuar informacione të pavërteta për bashkëshortin e saj.
“Kam nisur procedurat për të denoncuar të gjitha mediat që po shpifin mbi tim shoq. Dëmi moral dhe shpirtëror që i është shkaktuar familjes sonë është i madh”, thuhet në mesazhin e dërguar në redaksi.
Kjo nuk është hera e parë që familja e Ylli Zallës reagon publikisht përmes JOQ Albania.
Më 22 mars 2026, vetë Ylli Zalla publikoi një dëshmi ekskluzive nga arratia, ku mohoi kategorikisht çdo lidhje me atentatin e Rinasit. Ai pretendoi se po implikohej padrejtësisht në ngjarje dhe se po rrezikohej seriozisht jeta e tij.
Në atë deklaratë, Zalla ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si ishte hetuar atentati i 11 nëntorit 2025, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, duke pretenduar se autorët e vërtetë nuk po kërkoheshin ndërsa vëmendja ishte përqendruar tek ai.
Nga ana tjetër, Policia e Shtetit e konsideron Zallën person në kërkim dhe e dyshon si bashkëpunëtor në atentatin e Rinasit. Gjatë disa operacioneve të zhvilluara që prej nëntorit 2025 në zonën e Zallës janë sekuestruar armë, municione dhe materiale të tjera luftarake, të cilat autoritetet dyshojnë se kanë lidhje me të.
Pavarësisht operacioneve të njëpasnjëshme, Zalla vijon të mos jetë arrestuar.