Aplikacion
Një aksion i zhvilluar gjatë orëve të natës nga forcat speciale RENEA në zonën e Fushë-Krujës kishte në fokus kapjen e Ylli Zallës, një person i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje.
Sipas informacioneve, efektivët rrethuan banesën e tij në fshatin Zall dhe qëndruan për disa orë në pritje të arrestimit të tij. Megjithatë, 49-vjeçari arriti t’i shpëtojë operacionit duke u larguar në drejtim të pyllit, ku përfitoi nga errësira për t’u fshehur.
Burime policore bëjnë me dije se gjatë ndërhyrjes pati edhe përpjekje për neutralizimin e tij, por pa sukses. Ndërkohë, gjatë kontrollit të banesës, policia sekuestroi një pistoletë me fishek në fole, municion luftarak, një detektor frekuencash dhe një telefon celular që dyshohet se i përkiste të shumëkërkuarit.
Gjatë operacionit u arrestua edhe një 55-vjeçar nga i njëjti fshat, i dyshuar se ka ndihmuar Zallën të largohej sapo ka vënë re praninë e policisë. Ai akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe moskallëzim krimi.
Në banesë u gjet gjithashtu edhe vëllai i Ylli Zallës, i shpallur më herët në kërkim nga policia e Lezhës. Ky i fundit do të hetohet në gjendje të lirë për dyshime lidhur me një rast shpërthimi me lëndë plasëse të ndodhur më 10 qershor 2026.
Policia njofton se kërkimet për kapjen e Ylli Zallës vijojnë intensivisht, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.