Aplikacion
Një operacion policor i zhvilluar për kapjen e të shumëkërkuarit Ylli Zalla nuk ka dhënë rezultat, pasi ai ka arritur t’i shpëtojë arrestimit në momentet e fundit, edhe pse ishte identifikuar nga autoritetet.
Forcat e policisë kishin lokalizuar vendndodhjen e tij në zonën e Zallës në Fushë-Krujë dhe kishin organizuar ndërhyrjen për kapjen e tij. Megjithatë, Zalla ka mundur të largohet përpara se efektivët të finalizonin aksionin.
Ai është shpallur në kërkim që prej nëntorit 2025, pas zbulimit të një arsenali armësh në banesën e tij. Hetimet ndaj tij lidhen edhe me ngjarje të rënda kriminale, përfshirë atentatin në Rinas, ku humbën jetën Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.
Ylli Zalla konsiderohet një person me precedentë penalë të theksuar. Rreth 12 vite më parë ai është arrestuar për prodhim të mjeteve shpërthyese artizanale, si dhe është përfshirë në veprimtari të paligjshme si trafiku i drogës. Në të kaluarën, ai ka qenë gjithashtu nën dyshime për lidhje me rrjete ekstremiste dhe për përfshirje në rekrutime./ Zoom.al