zoom

Aktualitet

I akuzuar për atentatin e Rinasit, Ylli Zalla nga arratia: Shteti do të më vrasë, janë paguar bandat 500 mijë euro

I akuzuar për atentatin e Rinasit, Ylli Zalla nga arratia: Shteti do të më vrasë, janë paguar bandat 500 mijë euro

Ylli Zalla, i shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit për atentatin e nëntorit të vitit të kaluar në Rinas, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, ka reaguar sërish nga arratia, duke mohuar çdo lidhje me ngjarjen dhe duke hedhur akuza të forta ndaj autoriteteve.

Në një intervistë për gazetarin Spartak Koka, Zalla u shfaq në banesën e tij në Fushë-Krujë, ku deklaroi se në momentin e atentatit ndodhej në shtëpi dhe më pas ishte larguar drejt Patokut. Sipas tij, për ngjarjen është informuar vetëm pasi është kthyer dhe ka ndjekur lajmet.

Ai këmbënguli se nuk ka asnjë lidhje me atentatin, duke pretenduar se kontrollet e kryera nga policia në banesën dhe pronat e tij nuk kanë zbuluar asnjë provë komprometuese.

Zalla ngriti akuza edhe ndaj Policisë së Shtetit, duke pretenduar se është bërë objekt i hetimeve për të mbuluar autorët e vërtetë të atentatit.

“Shteti t’i zbardhë autorët dhe jo të më turrët mua. E kam zbuluar në mënyrë private që shteti do të më vrasë. Kanë paguar bandat 500 mijë euro që të vrasin Ylli Zallën. Bandat me shtetin”, deklaroi ai.

I shpalluri në kërkim shtoi se është gati të dorëzohet para autoriteteve për të provuar pafajësinë e tij dhe për të kontribuar, sipas tij, në zbardhjen e ngjarjes së Rinasit.

Pjesë nga intervista:

Kur e more vesh që po akuzoheshe për Rinasin?

E kam kuptuar kur e dhanë lajmet. Unë nuk erdha fare këtu nga frika.

Kur doli në media që ti kishe lidhje me Rinasin, çfarë mendove?

U habita. Si ka mundësi kjo punë? Çfarë më bëri mua shteti kështu? Dy ditë më parë më kishin pyetur për vëllain tim, ndërsa më pas nisi e gjithë kjo histori.

Çfarë të lidh ty me vrasjen e Rinasit?

Mua s’më lidh asgjë, nuk kam lidhje fare. Vetëm në televizor i kam parë pamjet filmike. Nuk i njoh vrasësit. Nuk i kam shitur askujt as armë, as makinë. Shteti e di pse vjen te unë, për të mbuluar gjërat e tyre.

Ke qenë i revoltuar pas publikimit të emrit tënd?

Kam qenë i revoltuar, sepse shteti më është turrur këmba-këmbës të më kapë dhe të më vrasë. Nuk është i zoti të zbardhë ngjarjen. Gilmando Danin nuk e kam pasur konflikt, e njoh siç mund të njoh shumë njerëz.

Do të dorëzohem që të dalë e vërteta dhe të zbardhet ngjarja e Rinasit. Mua më kanë futur në hasmëri me këtë ngjarje. Më kanë ardhur njerëz që të bëj be se nuk kam lidhje me atentatin dhe unë e kam bërë, sepse nuk kam lidhje fare me këtë punë.

Shteti t’i zbardhë autorët dhe jo të më turrët mua. E kam mësuar në mënyrë private se shteti do të më vrasë. Kanë paguar bandat 500 mijë euro që të vrasin Ylli Zallën. Bandat me shtetin.

Postime të lidhura