zoom

Aktualitet

Eglant Koçi përcillet për në banesën e fundit, hetimet: U vra me plumb pas koke nga “Mand Dhelpra”

Eglant Koçi përcillet për në banesën e fundit, hetimet: U vra me plumb pas koke nga “Mand Dhelpra”

Ndërsa Armand Shakaj, i njohur ndryshe si “Mand Dhelpra”, vijon të jetë në arrati, burime bëjnë me dije se po zhvillohen negociata për dorëzimin e tij pranë autoriteteve.

Hetimet kanë marrë një kthesë të re pas gjetjes së trupit të pajetë të 34-vjeçarit Eglant Koçi. Sipas ekspertizës paraprake, një plagë e konstatuar në pjesën e pasme të kokës ka ngritur dyshime se ndaj viktimës është përdorur armë zjarri. Megjithatë, arma e dyshuar nuk është gjetur ende nga policia.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se kontaktet me familjarët e Shakajt për një dorëzim të mundshëm kishin nisur edhe përpara zbulimit të trupit, ndërsa pas këtij zhvillimi ato janë intensifikuar. Nga ana tjetër, familjarët e tij pretendojnë se nuk kanë pasur asnjë komunikim me 41-vjeçarin.

Sipas hetuesve, gjatë dhe pas ngjarjes Shakaj dyshohet se ka ndërruar shtatë numra telefoni. Verifikimet kanë treguar se sinjalet telefonike janë regjistruar në zona të ndryshme të Tiranës, duke përforcuar dyshimet se ai mund të jetë duke u fshehur në kryeqytet ose në periferi të tij. Pavarësisht kontrolleve, policia nuk ka arritur ende ta lokalizojë.

Ndërkohë, këtë të mërkurë iu dha lamtumira e fundit Eglant Koçit. Ceremonia mortore u zhvillua në varrezat e Shëngjergjit, ndërsa familja do të presë ngushëllime gjatë ditëve në vijim.

Koçi ishte parë për herë të fundit më 4 qershor në zonën e sheshit “Wilson” në Tiranë, duke lëvizur me motomjet. Kamerat e sigurisë e kanë filmuar gjithashtu në një servis automjetesh pak orë para se të humbte kontaktet me familjen. Më 5 qershor, të afërmit e tij denoncuan zhdukjen në polici.

Gjatë hetimeve, autoritetet gjetën motomjetin e viktimës pranë zonës së “5 Majit” dhe identifikuan ambientin ku dyshohet se ai është mbajtur pas rrëmbimit.

Sipas dyshimeve të hetuesve, nga ai ambient ka dalë vetëm Armand Shakaj. Ai dyshohet se ka vrarë mikun e tij dhe më pas ka fshehur trupin në një çantë të zezë, të cilën e ka hedhur në një zonë të thepisur në Cërrujë.

Policia vijon operacionin për kapjen e 41-vjeçarit, ndërsa hetimet janë shtrirë edhe në drejtim të identifikimit të personave të tjerë që mund të kenë ndihmuar ose bashkëpunuar në krim.

Postime të lidhura