Aplikacion
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e Eglant Koçit, trupi i pajetë i të cilit u gjet ditën e djeshme në fshatin Cerrujë, pas rreth dy javësh kërkime.
Sipas informacioneve, nga këqyrja e jashtme e trupit është konstatuar një plagë tejshpuese në pjesën e pasme të kokës, e cila dyshohet se mund të jetë shkaktuar nga një armë zjarri, ndërsa priten rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar me saktësi shkakun e vdekjes.
Pas gjetjes, trupi është transportuar në morg, ku do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të plota për të hedhur më shumë dritë mbi rrethanat e ngjarjes.
Viktima u identifikua nga familjarët, ndërsa lokalizimi i trupit u bë nga policia me ndihmën e dronëve në një zonë të fshatit Cerrujë. Ndërsa mësohet se në momentin e gjetjes, trupi ndodhej në gjendje të avancuar dekompozimi.
Eglant Koçi ishte raportuar i zhdukur prej rreth dy javësh dhe familjarët kishin denoncuar humbjen e kontakteve me të pranë organeve ligjzbatuese.
Ndërkohë, hetuesit po verifikojnë lëvizjet dhe kontaktet e fundit të viktimës. Në kuadër të hetimeve, është shpallur në kërkim shoku i tij Armand Shakaj, i cili dyshihet si autor i krimit.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë.