zoom

Aktualitet

Gjendet një trup i pajetë në Ibë, dyshohet se është Eglant Koçi

Gjendet një trup i pajetë në Ibë, dyshohet se është Eglant Koçi

Një trup i pajetë është zbuluar në një zonë të thellë malore ndërmjet Tiranës dhe Elbasanit, që dyshohet se i përket Eglant Koçit, 34-vjeçarit i cili rezulton i zhdukur prej fillimit të muajit qershor.

Sipas informacioneve paraprake, trupi është gjetur gjatë operacioneve të kërkimit që po zhvilloheshin prej ditësh nga strukturat policore. Zbulimi është bërë falë monitorimit ajror me dron në një terren të vështirë dhe të paarritshëm, ku ekipet në terren kishin përqendruar hetimet.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se trupi ndodhej në sipërfaqe dhe nuk ishte i fshehur apo i varrosur. Për shkak të gjendjes së avancuar të dekompozimit, identifikimi i viktimës nuk mund të kryhet menjëherë dhe pritet të konfirmohet përmes analizave mjeko-ligjore dhe ekzaminimeve laboratorike.

Hetuesit dyshojnë se trupi mund t’i përkasë Eglant Koçit, i cili u raportua i zhdukur më 4 qershor. Megjithatë, autoritetet po presin rezultatet shkencore për të vërtetuar identitetin e viktimës.

Ndërkohë, hetimet vijojnë të fokusohen te rrethanat e zhdukjes së 34-vjeçarit dhe personat që mund të kenë lidhje me ngjarjen. Në qendër të dyshimeve mbetet Armand Shakaj, i shpallur në kërkim nga policia, i cili konsiderohet një nga personat kyç në këtë çështje.

Sipas të dhënave të siguruara nga hetuesit, ekzistojnë dyshime se Shakaj ka përdorur një mjet tip karrotrec për të transportuar automjetin e tij drejt zonës së Ibës pak ditë pas zhdukjes së Koçit.

Sipas burimeve policore, Armand Shakaj vijon të fshihet brenda territorit të vendit dhe ka ndryshuar pothuajse tërësisht pamjen e tij për të shmangur identifikimin. Burimet bëjnë me dije se ai ka prerë flokët, ka hequr mjekrën dhe përdor forma të ndryshme maskimi gjatë lëvizjeve për të mos u pikasur nga policia.

Po ashtu, hetuesit dyshojnë gjithashtu se ai mban kontakte me persona të afërt, të cilët mund ta ndihmojnë të fshihet. Ai ka ndryshuar jo vetëm numrin e telefonit, por edhe aparatin celular, me qëllim që të mos lokalizohet nga policia./ Zoom.al

Postime të lidhura