zoom

Aktualitet

Bajrat kallëzojnë Marjana Koçekun në SPAK pas akuzave për kërcënim

Bajrat kallëzojnë Marjana Koçekun në SPAK pas akuzave për kërcënim

Safet dhe Behar Bajri kanë depozituar një kallëzim pranë Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar verifikimin e deklaratave të deputetes Marjana Koçeku, e cila dy ditë më parë pretendoi publikisht se ishte kërcënuar me jetë së bashku me familjarët e saj.

Në dokumentin e paraqitur para organit të akuzës, kallëzuesit kundërshtojnë pretendimet e deputetes, duke i cilësuar ato të pabazuara dhe të pambështetura në prova konkrete. Sipas tyre, akuzat e ngritura në adresë të familjes Bajri nuk shoqërohen me fakte apo elementë që të vërtetojnë ekzistencën e kërcënimeve të pretenduara.

Në kallëzim theksohet gjithashtu se disa anëtarë të familjes ndodhen aktualisht në institucionet e vuajtjes së dënimit, çka sipas tyre e bën të pamundur përfshirjen në veprimet që u atribuohen publikisht.

Bajrat pretendojnë se deri më tani nuk është bërë publike asnjë provë e dorëzuar nga deputetja pranë institucioneve ligjzbatuese, ndërsa kërkojnë që SPAK të kryejë verifikimet përkatëse dhe të përcaktojë nëse deklaratat përbëjnë përgjegjësi ligjore.

Në kërkesën drejtuar Prokurorisë së Posaçme, ata kërkojnë regjistrimin e kallëzimit penal, nisjen e hetimeve për rastin, administrimin e provave të mundshme dhe ruajtjen e materialeve të publikuara në rrjetet sociale që lidhen me deklaratat e deputetes.

Po ashtu, kallëzuesit kërkojnë që organi i akuzës të verifikojë rrethanat në të cilat janë bërë deklaratat publike, si dhe të sqarojë nëse ka persona të tjerë që mund të kenë ndikuar në publikimin e tyre./ Zoom.al

Postime të lidhura