zoom

Aktualitet

Policia procedon 23 protestues pas tubimit të djeshëm: U bllokua qarkullimi në disa akse të Tiranës

Policia procedon 23 protestues pas tubimit të djeshëm: U bllokua qarkullimi në disa akse të Tiranës

Policia e Tiranës ka nisur procedim penal ndaj 23 personave pas tubimit të zhvilluar një ditë më parë para godinës së Kryeministrisë, duke i akuzuar për veprime që, sipas autoriteteve, kanë cenuar rendin publik dhe qarkullimin normal të mjeteve në kryeqytet.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë verifikimeve të kryera pas protestës është konstatuar se disa pjesëmarrës kanë organizuar dhe orientuar lëvizjet e protestuesve jashtë itinerarit të deklaruar më parë pranë institucioneve përkatëse. Si pasojë, në disa segmente rrugore të Tiranës është penguar lëvizja e automjeteve.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë bënë të ditur se, përveç angazhimit për garantimin e sigurisë gjatë zhvillimit të tubimit, kanë kryer edhe veprime hetimore për identifikimin e personave që dyshohet se kanë shkelur ligjin gjatë aktivitetit.

Ata akuzohen për veprat penale që lidhen me organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime të paligjshme, prishjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit./ Zoom.al

Postime të lidhura