zoom

Aktualitet

Dosja “Metamorfoza”, GJKKO dënon me 6 vite burg biznesmenin Pëllumb Gjoka

Dosja “Metamorfoza”, GJKKO dënon me 6 vite burg biznesmenin Pëllumb Gjoka

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur vendimin për dy prej të pandehurve kryesorë të dosjes “Metamorfoza”, biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe ish-zyrtarin e Policisë së Shtetit, Ardit Hasanbegaj.

Sipas vendimit të gjykatës, Pëllumb Gjoka u shpall fajtor për disa vepra penale, mes tyre sigurimi i kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjeve ndaj Kleanthi Musabelliut, Dorjan Dulit dhe Ibrahim Licit. Gjithashtu, ai u gjet përgjegjës për korrupsion aktiv ndaj funksionarëve të drejtësisë dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal.

Trupi gjykues vendosi fillimisht një dënim prej 9 vitesh burgim për biznesmenin. Megjithatë, për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, dënimi u reduktua me një të tretën, duke u përfunduar në 6 vite heqje lirie, që do të vuhet në një institucion të sigurisë së lartë.

Nga ana tjetër, gjykata e shpalli të pafajshëm Gjokën për akuzën e armëmbajtjes pa leje, duke rrëzuar këtë pjesë të akuzës së ngritur ndaj tij.

Ndërkohë, ish-shefi i policisë Ardit Hasanbegaj u dënua për përfshirjen e tij në sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve të Dorjan Dulit dhe Ibrahim Licit, si dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Për Hasanbegajn, gjykata caktoi një dënim fillestar prej 7 vitesh e 6 muaj burg. Pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, masa përfundimtare u ul në 5 vite burgim në një burg të sigurisë së lartë.

Përveç dënimit me burg, GJKKO vendosi ndaj ish-efektivit edhe një masë plotësuese, duke i hequr të drejtën për të ushtruar funksione publike pas përfundimit të vuajtjes së dënimit./ Zoom.al

Postime të lidhura