zoom

Aktualitet

“Më tha se po e kërcënonin”, çfarë deklaroi “Mand Dhelpra” përpara hetuesve para se të shpallej në kërkim për rrëmbimin e Eglant Koçit

“Më tha se po e kërcënonin”, çfarë deklaroi “Mand Dhelpra” përpara hetuesve para se të shpallej në kërkim për rrëmbimin e Eglant Koçit

Armand Shakaj, i dyshuar si personi kryesor i përfshirë në rrëmbimin e Eglant Koçin, ishte marrë në pyetje për ngjarjen, dy ditë pasi familjarët e 34-vjeçarit kishin bërë kallëzim për zhdukjen e tij.

Gjatë dëshmisë, ai ka deklaruar se e njihte 34-vjeçarin prej kohësh, pasi nëna e këtij të fundit kishte punuar më parë si sanitare.

Para hetuesve, Shakaj ka thënë se e kishte takuar Koçin më 3 qershor, një ditë para zhdukjes, dhe se nuk kishte dijeni për fatin e tij. Ai ka pretenduar gjithashtu se Koçi i kishte treguar se gjatë muajit maj kishte marrë kërcënime që, sipas tij, lidheshin me aktivitetin e call center-ave.

“Ai më kishte treguar muajin e fundit (maj) se kishte shqetësime dhe kërcënime që lidheshin me aktivitetin e call center-ave, por më shumë nuk di, pasi nuk më ka thënë gjë tjetër”, ka deklaruar Shakaj.

Pas marrjes në pyetje, Shakaj u la fillimisht i lirë, pasi në atë fazë të hetimit nuk kishte prova të mjaftueshme për ndalimin e tij. Megjithatë, zhvillimet e mëvonshme të hetimit ndryshuan situatën.

Pas verifikimit të pamjeve të kamerave të sigurisë në lokalin e tij, pranë Ministrisë së Jashtme në Tiranë, emri i Armand Shakajt u përfshi në listën e personave të shpallur në kërkim.

Autoritetet po punojnë për të rindërtuar lëvizjet e fundit të Eglant Koçit dhe për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një rrëmbim të planifikuar që ka përfunduar me vrasje./ Zoom.al

Postime të lidhura