zoom

Aktualitet

Dyshohet se ka vrarë Eglant Koçin, zbardhen lëvizjet e “Mand Dhelprës” (VIDEO)

Dyshohet se ka vrarë Eglant Koçin, zbardhen lëvizjet e “Mand Dhelprës” (VIDEO)

Zbardhen detaje të reja lidhur me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, e ndodhur më 5 qershor në zonën e “5 Majit” në Tiranë, ku dyshohet se ai është rrëmbyer dhe më pas eliminuar.

Në materialet filmike të sigurisë shfaqet personi i dyshuar për përfshirje në ngjarje, Armand Shakaj, i njohur me nofkën “Mand Dhelpra”, i cili shihet duke larguar motomjetin e viktimës dhe më pas duke u kthyer në këmbë pas disa minutash. Motori i 34-vjeçarit u gjet dy ditë pas zhdukjes së tij.

Autoritetet hetimore po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa një nga pistat kryesore lidhet me një sasi parash kriptovalutash që Koçi dyshohet se mbante në telefonin e tij.

Nga veprimet hetimore është identifikuar ambienti ku 34-vjeçari dyshohet se është parë për herë të fundit. Sipas provave të deritanishme, nga ky vend është larguar vetëm personi i dyshuar, i cili më pas dyshohet se e ka transportuar viktimën me automjet.

Gjithashtu, motomjeti i viktimës është gjetur dhe sekuestruar si provë materiale, ndërsa policia ka kryer kontrolle në disa zona të ndryshme, por pa arritur ende në gjetjen e trupit të tij.

Në kuadër të hetimeve është arrestuar edhe një person tjetër, Enea Zyferi, i cili dyshohet se ka ndihmuar Shakajn pas ngjarjes.

Enea Zyferi ka mohuar të ketë dijeni për fatin e Eglant Koçit.

“Armand Shakaj më kërkoi të fikja dritat. Më tha se do të nxirrte një frigorifer. Nuk kam asnjë dijeni për fatin e Eglant Koçit. E njoh sepse punoj si kamarier në lokalin e Armandit”, deklaroi ai para gjykatës.

Sipas dëshmisë së tij, Zyferi ka parë Koçin të hynte në ambientet e biznesit të Shakajt, por pretendon se nuk di asgjë më tej për atë që ka ndodhur./ Zoom.al

Postime të lidhura