Aplikacion
Pas dyshimeve për helmim ushqimor të 64 kursantëve të Akademisë së Sigurisë në Sauk, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka urdhëruar ndërprerjen e aktivitetit të subjektit të kompanisë “SORI-AL“ në Garnizonin “Skënderbej”, deri në daljen e rezultateve të analizave laboratorike.
Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas marrjes së informacionit për rastin, inspektorët e AKU-së kryen kontrolle në subjektin që ofron shërbimin e ushqimit si në Akademinë e Sigurisë, ashtu edhe në Garnizonin “Skënderbej”, ku përgatiten vaktet.
Verifikimet paraprake nuk evidentuan shkelje, pasi subjekti rezultoi se ushtronte aktivitetin në kushte të përshtatshme higjieno-sanitare dhe dispononte dokumentacionin e nevojshëm shoqërues.
Gjatë inspektimeve, AKU mori 14 mostra ushqimore nga vaktet e drekës dhe darkës të datës 24 qershor 2026, të cilat ishin ruajtur sipas procedurave, për analizim të treguesve mikrobiologjikë në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV). Po ashtu, në ambientet e Garnizonit “Skënderbej” u morën edhe 5 mostra tampon nga ambientet dhe pajisjet për të verifikuar nivelin e higjienës.
Megjithëse edhe në ambientet ku përgatitet ushqimi u konstatuan kushte të përshtatshme higjieno-sanitare, AKU vendosi pezullimin e aktivitetit të subjektit në Garnizonin “Skënderbej” deri në përfundimin e analizave laboratorike.
Në inspektimet e kryera morën pjesë edhe përfaqësues të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, të cilët kryen gjithashtu procedurat e tyre të verifikimit.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën të ditur se do të vijojë monitorimin e rastit dhe se masat e mëtejshme do të merren në varësi të rezultateve të analizave laboratorike, me synim garantimin e sigurisë ushqimore.