Aplikacion
Kompania Sori-Al që siguron kateringun e ushqimit për studentët e Akademisë së Sigurisë, që janë helmuar, ka thyer heshtjen.
Kompania, teksa ka hequr përgjegjësitë nga vetja, thekson se duhet të hetohet higjiena brenda institucionit dhe se problemi nuk vjen nga ushqimi.
Në reagim thuhet se studentët, sjellin edhe ushqime nga jashtë dhe nuk konsumojnë vetëm ushqimin e Sori-AL.
Në vijim të deklaratave tona të mëparshme dhe duke mbetur plotësisht të angazhuar për transparencë dhe me institucionet, Shoqëria “SORI-AL” Sh.p.k. ndjen detyrimin të reagojë lidhur me publikimet në portale të bëra gjatë ditës së sotme për një ngjarje të re të raportuar pranë Akademisë së
Sigurisë.
Që nga momenti i marrjes dijeni për shqetësimet shëndetësore të raportuara, përfaqësuesit e shoqërisë kanë ndjekur nga afër situatën, duke qëndruar në kontakt me autoritetet përgjegjëse dhe duke u interesuar vazhdimisht për gjendjen shëndetësore të studentëve, të cilët, sipas informacionit të marr, janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë rikthyer të gjithë në ambientet e Akademisë së Sigurisë.
Kjo është hera e dytë që raportohet një episod i tillë në një periudhë shumë të shkurtër kohore. Pikërisht
për këtë arsye, edhe pas ngjarjes së muajit maj, Shoqëria “SORI-AL” Sh.p.k mori masa të shtuara kontrolli
dhe monitorimi të proçesit të prodhimit, transportit, shpërndarjes dhe konsumimit të ushqimit, duke forcuar autokontrollin dhe mbikëqyrjen në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor.
Në kuadër të këtij monitorimi janë konstatuar dhe dokumentuar raste të futjes dhe konsumimit në
ambientet e Akademisë të produkteve ushqimore të porositura nga jashtë sistemit të furnizimit të
kontraktuar. Ky është një element faktik, i dokumentuar nga ana jonë, i cili, sipas vlerësimit tonë, duhet të
jetë pjesë e hetimit objektiv të institucioneve kompetente, pasi çdo ushqim i konsumuar jashtë zinxhirit të
kontrolluar të furnizimit mund të përbëjë një faktor që duhet të verifikohet.
Shoqëria “SORI-AL” përgatit dhe shpërndan çdo ditë mbi 1.000 racione ushqimore, duke operuar prej më
shumë se 23 vitesh në sektorin e kateringut për entet publike. Gjatë gjithë kësaj periudhe aktiviteti,
kompania ka ndërtuar reputacionin e saj mbi respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore dhe nuk
është përballur më parë me episode të ngjashme të përsëritura në një interval kaq të shkurtër kohor. Ky
fakt e bën edhe më të domosdoshme që çdo rrethanë të analizohet në mënyrë të plotë, profesionale dhe pa paragjykime.
Në këtë kuadër, i bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse të Akademisë së Sigurisë që, krahas hetimit të
kësaj ngjarjeje, të forcojnë monitorimin e respektimit të rregullave për konsumimin e ushqimit brenda
institucionit, duke garantuar që të mos futen dhe konsumohen produkte ushqimore nga burime të
pakontrolluara.
Po ashtu, nga monitorimet dhe verifikimet e kryera nga stafi ynë gjatë ofrimit të shërbimit është konstatuar se procesi i konsumimit të ushqimit zhvillohet në kushte ku mungojnë disa elementë bazë të kushteve higjieno-sanitare, si mundësia për larjen e duarve me ujë të ngrohtë dhe detergjent përpara konsumimit të vakteve. Gjithashtu, është vërejtur se në shumë raste studentët paraqiten për konsumimin e ushqimit menjëherë pas përfundimit të stërvitjes. Këto rrethana nuk paraqiten për të shmangur apo transferuar përgjegjësi, por për të evidentuar se siguria ushqimore është rezultat i funksionimit të të gjithë zinxhirit të sigurisë, duke përfshirë jo vetëm prodhimin dhe shpërndarjen e ushqimit, por edhe mënyrën dhe kushtet në të cilat ai ruhet dhe konsumohet. Për këtë arsye, vlerësojmë se edhe këta faktorë duhet të jenë pjesë e hetimit dhe analizës objektive të institucioneve kompetente.
Shoqëria “SORI-AL” mbetet e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha institucionet kompetente dhe kërkon
që edhe kjo ngjarje të hetohet mbi bazën e provave shkencore, epidemiologjike dhe laboratorike, pa nxjerrë përfundime të parakohshme dhe pa dëmtuar padrejtësisht reputacionin e një kompanie që prej më shumë se dy dekadash operon në këtë sektor.
Shoqëria “SORI-AL” mbetet në pritje të rezultateve të analizave laboratorike të kampioneve të marra nga
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, si dhe të analizave të kryera, me iniciativën e saj dhe në mënyrë të pavarur, pranë një laboratori tjetër të akredituar, në kuadër të sistemit të autokontrollit.
Shoqëria “SORI-AL” sh.p.k