Aplikacion
Një 21-vjeçar shqiptar ka përfunduar në prangat e policisë italiane, pasi dyshohet se ishte i përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike në zonën e Padovës.
Sipas mediave italiane, i riu, i cili banonte në provincën e Breshias dhe kishte precedentë policorë, u vu nën vëzhgim pas informacioneve të siguruara nga efektivët. Gjatë operacionit u ngritën postblloqe dhe u monitorua një automjet me qira, që dyshohej se përdorej për aktivitetin e paligjshëm.
Ndërhyrja e policisë u zhvillua në qytetin Este, ku 21-vjeçari u kap në momentin që, sipas hetuesve, po i shiste një dozë kokaine një 31-vjeçari vendas. Gjatë kontrollit në automjet, efektivët sekuestruan edhe 12 doza të tjera të së njëjtës lëndë narkotike, si dhe një shumë parash të gatshme.
Hetimet vijuan me kontrollin e dhomës ku shqiptari kishte qëndruar në Sant’Elena. Me ndihmën e njësisë së qenve antidrogë, policia zbuloi rreth 360 doza kokaine të përgatitura për shitje, si edhe 3.365 euro cash, të cilat dyshohet se ishin përfituar nga aktiviteti i trafikut të drogës.
Në përfundim të operacionit, i riu u arrestua dhe, me urdhër të Prokurorisë italiane, u transferua në burgun e Rovigos, ku do të qëndrojë në pritje të procedurave të mëtejshme ligjore./ Zoom.al